Vendimi i Amir Rrahmanit për të mos iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës përderisa në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës vazhdon të jetë udhëheqja aktuale, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave të njohura ndërkombëtare.
Mediumi i njohur sportiv “GOAL” i ka kushtuar hapësirë të veçantë zhvillimeve rreth kapitenit të Kosovës, duke e cilësuar mungesën e tij si një goditje të rëndësishme për përfaqësuesen “dardane”.
“Vendimi i Rrahmanit për t’u tërhequr nga Kosova është një goditje e madhe për ekipin përfaqësues”, raporton “GOAL”, duke vënë në pah rolin që mbrojtësi i Napolit ka pasur ndër vite në skuadrën dardane.
Sipas mediumit britanik, Rrahmani është një prej lojtarëve më me përvojë të Kosovës dhe mungesa e tij pritet të ndihet si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë të lidershipit.
Vendimi i mbrojtësit ka marrë vëmendje edhe në Itali. “Futboll Italia” ka raportuar për qëndrimin e 32-vjeçarit, duke theksuar se lojtari i Napolit ka vendosur të mos jetë pjesë e Kosovës përderisa situata në FFK mbetet e pandryshuar.
Rrahmani, ndërkohë, ka qenë i ashpër në deklarimet e tij ndaj drejtuesve të federatës. Ai ka pretenduar se ndaj tij janë zhvilluar sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara, ndërsa ka shprehur pakënaqësi edhe për mënyrën se si janë trajtuar problemet brenda përfaqësueses.
Mbrojtësi i Napolit është një prej futbollistëve më të rëndësishëm në historinë e përfaqësueses së Kosovës, për të cilën ka regjistruar 66 paraqitje dhe 7 gola.
