Paraqitjet bindëse me Osijekun, Shqipëria i vë syrin 19-vjeçarit Admir Latifi!

Admir Latifi e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri në elitën e futbollit kroat. Shkupjani 19-vjeçar nga ndeshja në ndeshje po bind me paraqitjet e tij, ndërsa kjo ka bërë që këtij talenti ti besoj më shumë edhe vetë trajneri i Osijekut, argjentinasi Federico Bessone Luna, shkruan “infOSport.mk”.

Latifi këtë edicion debutoi për herë të parë me ekipin e parë të Osijekut, edhe atë në ndeshjen e xhiros së parë kundër NK Gorica. Në atë ndeshje shkupjani u paraqit për vetëm 3 minuta, ndërsa pas mungesës në dy ndeshjet e ardhshme, i njëjti u paraqit për 28 minuta në ndeshjen e xhiros së katërt kundër Hajduk Split.

Thuajse minuta identike morri edhe në ndeshjen e xhiros së 5-të kundër Slaven Belupo, në të cilën ndeshje Osijeku i tij shënoi fitore 3:0, ndërsa pikërisht paraqitjet e tij të mira në këto dy ndeshje ku kishte më shumë minuta në dispozicion, bënë që trajneri Luna ti besoj atij epitetin e titullarit në ndeshjen e xhiros së fundit kundër Rijekës në transfertë.

Pavarësisht disfatës, Latifi bëri një super paraqitje, madje duke asistuar në golin e vetëm të Osijekut, skuadër kjo që pas 6 xhirove të kaluara renditet në pozitën e katërt me 12 pikë të tubuara.

Paraqitjet e Latifit këtë edicion, por edhe gjatë fazës përgatitore me Osijekun nuk kanë mbetur pa u vërejtur edhe nga skautët e Kombëtares shqiptare të futbollit.  Informacione të afërta me “infOSport.mk” zbulojnë se drejtuesit e FSHF-së po ndjekin me shumë vëmendje ecurinë e talentit shkupjan, 19-vjeçarit, Latifi, i cili deri më tani ka luajtur vetëm me ekipet zinxhir të përfaqësueses së Maqedonisë, duke filluar nga ajo U17, deri te U21, për të cilën numëron 3 paraqitje dhe 1 gol të shënuar.

Mbetet të shihet nëse Latifi do të ndërrojë mendje dhe në të ardhmen do të vendos për të përfaqësuar ngjyrat “kuqezi” të kombëtares së Shqipërisë, që gjithashtu po ndjek për së afërmi edhe mbrojtësin e krahut të majtë të Egnatias, shkupjanin 20-vjeçar, Numan Ajeti, që gjithashtu është pjesë e përfaqësueses U21. (infOSport.mk)

Leave a Reply