Asani: Në Tetovë për të vazhduar serinë pozitive

E shtuna në elitën e futbollit vendor sjellë përballjen derbi mes dy skuadrave shqiptare, Renovës dhe Shkupit. Renova nuk e ka nisur mbarë sezonin e ri ku pas 6 javëve të para ka regjistruar vetëm një fitore, ndërkohë në anën tjetrë Shkupi ndodhet në një seri pozitive prej tre fitoreve, seri të cilën “bardhekaltërit” nga Çairi dëshirojnë ta vazhdojnë edhe pas ndeshjes në Tetovë.

“Jemi të vetëdijshëm se jemi në një fazë të ndeshjeve të vështira, secila ekip kërkon të shkëputë sa më shumë pikë, andaj secila përballje është sfidë e re dhe kundërshtar me strategji ndryshe të lojës. Udhëtojmë në Tetovë në një terren të mirë që na jep mundësi të luajmë futboll cilësor, ndërsa Renova është kundërshtar që duhet respektuar. Udhëtojmë për Tetovë për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive dhe shpresojmë të kthehemi kokën lartë në Shkup”, – ka thënë Shpend Asani, i cili edhe pse ende nuk e ka gjetur golin e parë me fanellën e FC Shkupit, ai ka qenë një ndër futbollistët kyç te skuadra e trajnerit Nuhiu, duke asistuar në disa gola.

Ndeshja Renova – Shkupi starton në ora 15:30, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitri nga Shtipi Stojançe Stojanov, të cilit do i ndihmojnë Nikolla Karakolev dhe Igor Shirilov, ndërkohë arbitër i katërt do të jetë Krumisllav Gjorgiev.

Leave a Reply