Debutim pozitiv për Qendrim Ismajlin me fanellën e Struga Trim Lum, pasi i njëjti dje ishte pjesë e fitores së madhe ndaj kampionëve në fuqi të Vardarit.
Qendrim Ismajli skuadrës së Struga Trim Lum iu bashkua me datë 10 gusht, ndërsa dje kundër Vardarit debutoi si startues. Ishte pikërisht trajneri Bledi Shkëmbi që i dha një mundësi të këtillë, kjo pasi njeh shumë mirë kualitetet e Ismajlit, të cilin e kishte trajnuar te KF Tirana.
Bazuar në atë që tregoi në fushën e blertë për gjatë 86 minutave, trajneri Shkëmbi nuk kishte gabuar aspak, pasi Ismajli mjaft mirë luajti në pjesën ofenzive, duke mbuluar mjaft mirë krahun e majtë, e ku në disa raste harkimet e tij brenda zonës bënin që sulmuesit tanë të ishin rrezik permanent për portën e Vardarit.
“Jam i kënaqur me atë që tregoi Ismajli, por realisht pres më shumë nga ky lojtar. Ai do ti jap më shumë besim ekipit dhe do të forcojë grupin” – tha trajneri Bledi Shkëmbi, pas debutimit të Ismajlit, i cili në karrierën e tij të deritanishme, në Shqipëri përveç me KF Tiranën, kishte luajtur së fundmi edhe me Teutën, ndërsa në vendlindjen e tij në Kosovë, i njëjti kishte provuar veten me SC Gjilanin, KF Dardana si dhe me KF Flamurtarin e Prishtinës.
Për Ismajlin, ndeshja me Vardarin ishte e para me fanellën e Struga Trim Lum, ndërsa paraqitja e tij dha sinjale pozitive, pasi falë përvojës që ka ky futbollistë, pa dyshim se do të jetë një forcë shtesë për skuadrën strugane në vazhdim të kampionatit.
