Bardhi para mediave spanjolle rrëfen për jetën e tij

Enis Bardhi, një yll i ri i futbollit evropian që po mahnit të gjithë me super golat e tij nga gjuajtjet e lira është bërë temë diskutimi në Spanjë. Shkupjani 22-vjeçar i cili gjatë kësaj vere vendosi të transferohet në Spanjë te skuadra e Levantes për një shifër prej 1.5 milion euro nga rradhët e hungarezëve të Ujpeshtit, potencialin që e tregoi gjatë ndeshjeve kontrolluese të skuadrës nga Valencia, po e dëshmon edhe në La Liga, një ndër ligat më të fuqishme evropiane.

Bardhi në 4 ndeshje ka shënuar 3 gola, dy prej të cilëve nga gjuajtja e lirë. Kjo ka bërë që edhe mediat me renome të Spanjës të shkruajnë për djaloshin nga Bllaca e poshtme, apo siç disa e quajnë “Te Bardhtë”, që asocon në mbiemrin e tashmë futbollistit të njohur shqiptarë, Enisit.

Ai me 17 korrik, kur edhe firmosi me Levanten, për spanjollët ishte krejtësisht një futbollist i panjohur, mirëpo vetëm pas dy muajve, ai ngritet në piedestal, duke fituar shumë hapësirë në mediat spanjolle, ku një ndër ta së fundmi është edhe agjencia e njohur spanjolle e lajmeve, EFE.

Para tyre Bardhi ka rrëfyer rreth jetës së tij dhe peripetive që ka hasur gjatë trajnimeve dhe rrugës që ka arritur deri këtu. Ai për “EFE” ka treguar se si për çdo ditë ka udhëtuar nga rreth 20 km për të arritur në stërvitje, dhe se një gjë të tillë ka bërë me kënaqësi.

“Familja ime ishte një familje normale. Unë për çdo ditë kam udhëtuar nga 20 km për të arritur në stërvitje, ndërsa si zakonisht gjithnjë kam pasur ndihmën e prindërve të mi, të cilët gjithmonë kanë besuar tek unë. Xhaxhai im ishte një futbollist shumë i mirë në Maqedoni dhe qysh kur isha i vogël unë gjithmonë e kam dashuruar futbollin. I dhashë babait tim se, unë dëshiroja të luaja futboll, ndërsa ai deri më sot mi ka plotësuar të gjitha kushtet” – thotë Bardhi.

Kur ishte vetëm 16 vjeç ai u largua drejt Suedisë për të luajtur me një ekip të Kategorisë së Tretë, Prespa Birlik, por u kthye pa mundur të tregojë potencialin e tij.

“Shkova në Suedi me një trajner që e njihja për të luajtur në Kategorinë e Tretë, por nuk munda të luaja, pasi isha i vogël dhe kisha probleme me pasaportën për shkak se Maqedonia nuk i përkiste Bashkimit Europian”, – shpjegon Bardhi.

Bardhi, i cili në ditën e prezantimit të tij te Levante rrëfeu se ai pëlqente goditjet e lira të ekzekutuara nga ana e Kristiano Ronaldos, gjeti suksesin në Hungari me Ujpeshtin, te e cila skuadër brenda tre viteve të kaluara zhvilloi plotë 94 ndeshje, duke realizuar edhe 22 gola, 12 prej të cilëve sezonin e fundit.

Gjithë këto shifra dhe paraqitjet e tij mbresëlënëse me fanellën e Ujpeshtit zgjuan interesimin e disa skuadrave evropiane si nga Gjermania, ashtu edhe nga Spanja, ku më konkrete dhe këmbëngulëse doli të jetë skuadra e Levantes, e cila tashmë ka kuptuar se nuk ka gabuar dhe se ka bërë një goditje të fuqishme në merkaton e verës.

“Unë isha i suksesshëm në Hungari dhe më duhet të falënderoj të gjithë anëtarët e Ujpeshtit, pasi unë isha shumë mirë atje. Sigurisht, të luash në Spanjë është një punë e madhe dhe hap shumë i rëndësishëm në karrierë” – përfundoi Bardhi, i cili tashmë në tregun evropian vlen gati 20 fishë më shumë nga shuma që kishte paguar Levante.

Drejtuesit e kësaj skuadre tashmë kanë vendosur edhe një çmim për Enis Bardhin, të cilin e vlerësojnë në rreth 25 milion euro, para këto që duhet dhënë skuadrat e interesuara për shërbimet e talentit shkupjan, e që veçmë kanë dalë në horizont, si Betisi, Valencia dhe Sevilja.

Leave a Reply