FC Shkupi skuadra më e mirë vendase, Struga TL e pamëshirshme ndaj mysafirëve

FC Shkupi pas 10 xhirove të para rezulton të jetë skuadra më e mirë vendase, njofton “infOSport.mk”. Nga gjithsej 6 ndeshje që ka zhvilluar në terren vendas, skuadra nga Çairi, ka regjistruar 5 fitore dhe vetëm një barazim, edhe atë që në xhiron e parë kundër Shkëndijës (2:2).

Plotë 14 gola ka shënuar skuadra shkupjane dhe vetëm 6 ka pranuar në këto 10 xhiro, ku si vendas ka fituar 16 pikë.

Pas tyre me 15 pikë renditet Makedonija GJ.P., që në 6 ndeshje si vendas ka pësuar edhe një disfatë përballë Shkëndijës (0:1), ndërsa në vendin e tretë me efekt të qindtpërqindtë ndodhet Struga Trim Lum, që në 4 ndeshje ka shënuar po aq fitore.

Skuadra strugane me 12 pikët maksimale renditet në pozitën e 3-të, duke lënë pas vetes Shkëndijën, që në 5 ndeshje të zhvilluara në Tetovë ka regjistruar dy fitore dhe 3 barazime, ndërsa pas “kuqezinjëve” me dy fitore dhe dy barazime nga 4 ndeshje renditet Boreci me 8 pikë.

Pasojnë Sileksi, Pelisteri dhe Vardari, që në ndeshjet si vendas kanë tubuar nga 7 pikë, Rabotniçki dhe Akademia Pandev me nga 6 pikë renditen në pozitat 9 dhe 10, ndërkohë dy skuadrat nikoqire më të dobëta janë Renova dhe Bellasica.

Leave a Reply