Shkëndija e Gjokës kthehet me pikë të plota nga transferta në Veles (VIDEO)

Shkëndija ka shënuar fitore 2:0 në transfertën ndaj Borecit në Veles, duke regjistruar fitoren e parë në Veles, aty ku në dy ndeshjet e fundit “kuqezinjtë” dilnin kokëulur, shkruan “infOSport.mk”.

Edhe në këtë ndeshje në element doli të jetë dyshja sulmuese Besart Ibraimi – Lupçe Doriev, që shënuan golat e fitores. Kërçovari Besart Ibraimi shënoi golin e parë për Shkëndijën në minutën e 26-të, kur doli të jetë i saktë nga penaltia. Enur Totre u ndal në mënyrë të palejuar nga Stoimenovski, ndërsa arbitri Gocevski tregoi në pikën e bardhë, duke i mundësuar bomberit kërçovar për të shënuar edhe golin e tij të 13-të sezonal.

Ky gol doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë pamë një Borec shumë kërkues, duke rrezikuar në disa raste portierin Kostadin Zahov, i cili ishte në nivel të detyrës.

Numri një i Shkëndijës ndalte me mjaft sukses tentativat e Ristovskit dhe kapitenit Prelçec, i cili në minutën e 80-të madje arriti që të shënojë në rrjetën e Zahov, mirëpo i njëjti u anulua për shkak pozitës jashtë loje.

Ndërkohë në anën tjetër Shkëndija pas një aksioni të bukur me aktorë kryesor Ibraimi-Zejnullai-Doriev, shënoi edhe golin e dytë me anë të futbollistit nga Strumica, i cili në këtë mënyrë shënoi edhe golin e 5-të sezonal.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 82-të, ndërsa vetëm 3 minuta më pas trajneri Ernes Gjoka vendosi të largojë nga loja dyshen Ibraimi – Doriev, me qëllim për të pushuar për ndeshjet e rradhës, që tashmë zhvillohen çdo fundjavë dhe mesjavë, transmeton “infOSport.mk”.

Për Shkëndijën ishte kjo fitorja e 9-të sezonale, me ç’rast “kuqezinjtë” vazhdojnë të kryesojnë renditjen në LPFMV, tashmë me 33 pikë, 5 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë, që ndeshjen e javës së 15-të do ta zhvillojë nesër kundër Pelilsterit. Ndërkohë Boreci mbetet në kuotën e 22 pikëve dhe aktualisht në pozitën e katërt.

Leave a Reply