Sezoni, 2023/24, Premierliga me shpenzime prej  më shumë se 1 miliardë sterlina

38 javë, 20 skuadra, më shumë se 1 miliardë sterlina të shpenzuara, lojtarët më cilësorë të afruar, sinjalizojnë që Premierliga angleze do të ruajë përsëri fronin e kampionatit më të fortë në Europë.

Arsenali mban kurorën si skuadra që ka investuar më shumë në lojtarë se çdo klub tjetër, në tentativën e qartë dhe reale për të rivalizuar Mançester Sitin në garën për titullin kampion, që vjet u rrëmbye në një mënyrë tejet dramatike nga “The Citizens”, ndoshta edhe falë eksperiencës, kualiteteve në fushë, por edhe në pankinë, që në fund e ndihmuan ekipin e Guardiolës të arrijë objektivin përfundimtar.

Për të evituar një tjetër skenar të tillë, “Topçinjtë” e Londrës kanë harxhuar 208 milionë sterlina, vetëm në tre element, Declan Rice, Kai Havertz dhe Jurrien Timber.

Ndërkaq, kryefjalë për Mançester Sitin deri më tani kanë qenë largimet, si Ilkay Gundogan, Riyad Mahrez e ndërsa pritet të mbyllë bashkëpunimin pas  6 vitesh me klubin dhe Kyle Walker.

Faza e rindërtimit për Mançester Junajted vijon dhe Erik ten Hag po implementon dalëngadalë vizionin e tij te 20-herë kampionët e Anglisë, duke sjellë në “Old Trafford”, jo vetëm lojtarë që e njohin mirë filozofinë e tij, por që janë edhe të aftë të rrisin skuadrën në aspektet teknike, taktike dhe fizike.

Kështu, transferimet e Mason Mount, Andre Onana dhe pothuajse edhe të Rasmus Hojlund dhe Sofyan Amrabat do të ndikojnë që Junajtedi të jetë më rivalizues në sezonin e ardhshëm, por vështirë të thuhet që do të jenë gati të masin forcat me rivalët e qytetit, Mançester Sitin.

Nëse në sezonet e fundit e kemi ditur se çfarë mund të presim nga Liverpull, në këtë edicion nuk kemi asgjë të sigurtë. Por, vetëm një gjë është e sigurtë, që “The Reds” nuk do të përsërisin një sezon si ai i kaluari.

Transformimi total i mesfushës pritet të jetë thelbësor edhe në ndryshimin e fateve të sezonit në mënyrë pozitive, me Mac Allister, Dominik Szoboszlai dhe me shumë mundësi edhe Romeo Lavia, që pritet t’i japin një dimension të ri lojës së Jurgen Klop.

Loja e Çelzit në turneun veror ka lënë shumë vend për entuziazëm nën udhëheqjen e re të Mauricio Poçetinos. Energji, dinamizëm dhe shpejtësi.

Tre elementë që kanë karakterizuar futbollin e “Bluve” të Londrës deri më tani dhe që i kanë bërë tifozët e dy herë fituesve të Ligës së Kampionëve tejet optimist. Nëse Poçetino gjen një mënyrë për t’i integruar në një mënyrë adekuate Nicolas Jackson, Mykailo Mudryk, Christopher Nkunku dhe Raheem Sterling, sigurisht që mund t’i krijojnë probleme çdo mbrojtjeje në sezonin e ri në Premierligë.

Një ‘shesh ndërtimi’ ka qenë edhe Totenhami gjatë kësaj periudhe. Një fytyrë e re në pankinë si Ange Postecoglu ka ngjallur reagime të përziera në tifozerinë e “Spërsave”, me klubin londinez që do të futet në një tjetër vit të Premierligës pa i patur objektivat e qarta.

Sigurisht, çështja kryesore ka qenë sulmuesi, Harry Kane. Kapiteni dhe ikona e klubit po has vështirësi të mëdha në marrjen e një vendimi për të ardhmen e tij, me Mançester Junajted dhe Bajern Munih, që mbeten opsione të hapura, e ndërsa sezoni i ri po afron, shanset e Kane për të shpenzuar një tjetër sezon në kryeqytet po rriten edhe më shumë.

Surpriza  të mëdha priten edhe nga Njukasëll Junajted, Brajton dhe Aston Villa, skuadra këto që kanë investuar në formë të zgjuar në merkato dhe që mund të jenë kërcënim për çdo kundërshtar.

Ndërsa, lufta për mbijetesë pritet të jetë më e ashpër se kurrë, ndoshta dhe më dramatike dhe emocionuese se ajo e sezonit të kaluar.

Personifikimi më i mirë i futbollit të bukur, Premierliga do të startojë më 11 gusht, ku kampionët në fuqi të Mançester Sitit  do të zhvillojnë premierën e sezonit ndaj Bërnlit të sapongjitur e të drejtuar nga një legjendë e “The Citizens”, si Vincent Kompany.

Leave a Reply