Flamur Tairi i jep fund karrierës së pasur futbollistike

Flamur Tairi në moshën 34-vjeçare ka vendosur ti thotë MJAFTË futbollit aktiv.

Kështu ai largohet nga dashuria e tij e madhe, futbolli, pas dy titujve kampion me skuadrën e qytetit të tij të lindjes, Struga Trim Lum.

Mes këtyre titujve, ai numëron plotë 144 ndeshje zyrtare në Ligën e Parë, 84 ndeshje të tjera në Superligën shqiptare dhe 8 ndeshje europiane, që të gjitha me skuadrën e Struga Trim Lum.

Vlen të theksohet se përveç me Struga Trim Lum, Flamur Tairi në Maqedoni kishte luajtur edhe me KF Karaormanin, Makedonija GjP., Napredokun, KF Gostivarin dhe  KF Renovën, derisa në Shqipëri kishte veshur fanellën e Teutës dhe Bylisit.

Me rastin e largimit të tij nga futbolli aktiv, mbrëmë drejtuesit e Struga Trim Lum, me në krye pronarin Mendi Qyra, nderuan Flamur Tairin në festën madhështore të organizuar për 10 vjetorin e themelimit të ekipit strugan.

Kujtojmë, Flamu Tairi, pjesë e Struga Trim Lum ishte për 8 vite e gjysmë, që nga janari i vitit 2017-të.


Më poshtë edhe njoftimin e tij zyrtarë për largimin nga futbolli aktiv:

Pas shumë viteve në fushën e blertë, ka ardhur momenti të mbyll një kapitull të jetës sime – me zemrën plot mirënjohje.

Faleminderit KF Karaorman, Makedonija GP, Napredok, Teuta, FC Gostivari, KF Renova, Bylis dhe veçanërisht FC Struga Trim & Lum që ishte shtëpia ime deri në fund.

Faleminderit bashkëlojtarëve për çdo betejë të përbashkët, trajnerëve për besimin, dhe tifozëve për dashurinë.

Por mbi të gjitha, faleminderit familjes time – për çdo sakrificë, përkrahje dhe forcë në çdo hap të rrugës.

Kjo ishte një ëndërr që e jetova me shpirt. Faleminderit futboll! ❤️

– Flamur Tairi

Leave a Reply