Abissnet Superiore, Ardian Nuhiu shpallet trajneri i javës së 22-të

Pas mbylljes së javës së 22-të në “Abissnet Superiore”, vëmendja është përqendruar te përzgjedhjet më të mira të javës, ku trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave kanë hartuar formacionin ideal sipas skemës 1-4-3-3.

Në krye të këtij vlerësimi qëndron emri i trajnerit shkupjan, Ardian Nuhiu, i cili është shpallur trajneri më i mirë i javës – një tjetër dëshmi e punës dhe ndikimit të tij në elitën e futbollit shqiptar.

Tekniku bardheblu po kalon një moment shumë pozitiv me Tiranën, duke e rikthyer skuadrën te rezultatet e dëshiruara.

Tre fitore dhe një barazim në katër ndeshjet e fundit flasin qartë për stabilitetin dhe rritjen e ekipit nën drejtimin e Nuhiut.

Organizimi taktik, disiplina në lojë dhe menaxhimi i grupit kanë qenë elementët kyç që i kanë dhënë frytet e para konkrete Nuhiut në krye të 26-herë kampionëve të vendit.

Sa i përket formacionit të javës, në portë është përzgjedhur shkupjani tjetër, Igor Aleksovski i Flamurtarit, i cili u shqua me pritje vendimtare duke mbajtur portën e paprekur ndaj Vorës.

Në mbrojtje bëjnë pjesë Andrey Yago (Vllaznia), Faton Neziri (Dinamo City), Aurel Marku (Bylis) dhe Marjus Kola (Partizani), të cilët spikatën me paraqitjet e tyre solide.

Mesfusha përbëhet nga Sherif Kallaku (Vllaznia), Rafael (Tirana) dhe Klaus Kashari (Vora), trio që diktoi ritmin e lojës për skuadrat respektive.

Në repartin ofensiv janë përzgjedhur Xhonatan Lajthia (AF Elbasani), Xhuliano Skuka (Partizani) dhe Serge Tabekou (Tirana).

Në sfidën spektakolare Partizani – AF Elbasani, e përfunduar 2:2, Lajthia ishte protagonist absolut me dy gola, ndërsa Skuka kontribuoi me realizimin e tij për të kuqtë.

Megjithatë, vlerësimi për Ardian Nuhiun mbetet pika kulmore e javës së 22-të, duke konfirmuar rolin e tij si një nga trajnerët më në formë të momentit në kampionatin shqiptar.

Leave a Reply