Shumë tifoz në promovimin e fanellës së re të përfaqësues futbollistike të Maqedonisë

Fanella e re e përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë u prezantua sonte zyrtarisht në një aktivitet ku morrën pjesë një numër i madh tifozësh, të cilët erdhën për të mbështetur futbollistët e ekipit përfaqësues dhe për të parë nga afër fanellën e re të ekipit përfaqësues futbollistik, me të cilin do të zhvillojnë ndeshjet në kuadër të Ligës së Kombeve.

Tifozët e pranishëm përveç që patën mundësinë të shijojnë nga afër fanellën e re, ata gjithashtu shfrytëzuan mundësinë për të kaluar çaste së bashku me disa prej futbollistëve të ekipit përfaqësues, si Enis Bardhi, Stole Dimitrievski, Elif Elmas dhe Bojan Miovski.

Që të gjithë këta ua plotësuan dëshirat të pranishmëve për të bërë foto, për të dhënë autografe dhe për të bashkëbiseduar.

Federata e Futbollit të Maqedonisë shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë ata që morën pjesë, pasi në këtë mënyrë ata treguan një mbështetje të fortë për ekipin kombëtar.

“Fanella u prezantua. Tifozët ishin të pranishëm. Faleminderit të gjithëve që erdhën dhe që e mbështesin Maqedoninë. Faleminderit gjithashtu Enisit, Stoles, Elifit dhe Mios për durimin, për dhënien e autografeve dhe për kohën e kaluar me çdo tifoz. Kjo është fanella. Përpara Maqedoni,” – thuhej në urimin e FFM-së në faqen e tyre zyrtare në facebook.

Fanella e re është rezultat i partneritetit midis FFM-së dhe Adidas-it dhe do të jetë simboli i ri i përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë për periudhën në vijim.

Me fanellën e re futbollistët më të mirë të vendit tonë do të luajnë ndeshjet e Ligës së Kombeve, derisa të shtunën në arenën “Todor Proeski” do të zhvillojmë ndeshjen e parë kundër Zvicrës, e vlefshme për Ligën “B”, grupi 1.

Leave a Reply