Përfaqësuesja futbollistike e Kosovës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e re në Ligën e Kombeve, duke mposhtur Republikën e Irlandës me rezultat minimal 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Dardanët” zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer dhe gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes ishin skuadra më e mirë në fushë, duke dominuar ndaj përfaqësueses irlandeze.
Kosova e nisi fuqishëm takimin dhe që në pjesën e parë krijoi disa mundësi të mira shënimi. Vedat Muriqi, Edon Zhegrova dhe Florent Hoxha ishin ndër lojtarët më aktivë në repartin ofensiv, mirëpo si duket fati u kishte kthyer shpinën atyre, sidomos kapitenit Muriqi, që në disa raste rrezikoi dukshëm portën kundërshtare, madje në një rast mbrojtja kundërshtare të devijoj topin nga vija e fundit fatale.
“Dardanët” krijuan plot tetë raste për gol në 45 minutat e para, ndërsa Irlanda pati vetëm një mundësi serioze. Megjithatë, pavarësisht dominimit të Kosovës, pjesa e parë u mbyll pa gola.
Edhe në fraksionin e dytë, Kosova vazhdoi të kërkonte golin, ndërsa presioni i “dardanëve” dha rezultatin e duhur në minutën e 83-të, kur Vedat Muriqi nga afërsia me kokë shënoi në rrjetën e Kelleher.
Kosova disa minuta më vonë ishte shumë pranë edhe golit të dytë, me Ermal Krasniqin që pati një mundësi të mirë, por goditja e tij përfundoi pranë shtyllës.
Me këtë fitore, Kosova e nisi me tre pikë aventurën e re në Ligën “B” të Kombeve.
Ndeshjen e radhës “Dardanët” do ta zhvillojnë të dielën në Vjenë, ku do të përballen me Austrinë, skuadër kjo që sonte në kuadër të grupit 1, mundi Izraelin me shifrat 3:1.
