Tramexani nuk është më trajner i Luganos

Paolo Tramexani nuk është më trajner i Luganos, teksa ka ndërprerë me konsensus marrëveshjen me klubin zviceran, ku kishte edhe dy vite të tjera kontratë. Kjo u bë e ditur pas takimit midis presidentit të Luganos, Anxhelo Renxeti dhe vetë strategut italian të martën në mbrëmje, kur që të dy bashkë ishin ulur në një darkë.

“Ishte e qartë se dëshira e Tramexanit ishte për tu larguar nga klubi. Shpresoja deri në momentin e fundit për ta mbajtur atë në skuadër, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. Unë respektoj vendimin e tij dhe njëkohësisht falënderoj për kontributin e dhënë në skuadrën tonë” – tha presidenti i Luganos, Anxhelo Renxeti, në daljen para medieve sot.

Tramexani kishte kontratë deri në vitin 2019-të me Luganon, mirëpo ai kërkon sfida të reja dhe një klub të ri ku do e niste nga zero.

“Në dy vite e gjysmë kontratë që kisha, plani ishte mbijetesa dhe vitin pasardhës diçka më shumë. Kemi arritur gjithçka me një shpejtësi marramendëse, ndaj mendoj se e arrita objektivin afatgjatë, edhe pse për presidentin kam menduar vërtet të qëndroj. Kam marrë shumë oferta dhe dua ta nis nga zero. Ka qenë një projekt rritjeje i pabesueshëm. Brenda meje do të ruaj përgjithmonë atë që kam marrë nga këta djem. I falënderoj të gjithë, sepse ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Ma bëri zemrën mal përqafimi i marrë nga qyteti. Është e vërtetë, kam bërë edhe gabime, por kam dhënë gjithçka dhe jam krenar për eksperiencën e përjetuar. Tani dua ta nis nga zero, nuk kam frikë nga eksperiencat e reja, do të jap gjithçka, si zakonisht” – tha Tramexani.

Mediat italiane Tramexanin e shohin si zëvendësues të Eusebio Di Françeskos te Ssasuolo, ndërsa gjithashtu emri i ish ndihmësit të De Biasit te Kombëtarja shqiptare ndërlidhet edhe me ekipin e Novarës.

Leave a Reply