Gjeneratat e reja me forca të reja! Ismaili në krye të U11 dhe U15 te FC Shkupi

FC Shkupi, skuadër kjo e njohur për prodhimin e talentëve të rinj, së fundmi ka bërë disa ndryshime në stafin e saj teknik tek grupmoshat e reja.

Ferdi Ismaili është prurja më e fundit në stafin e skuadrës nga Çairi, që në këtë mënyrë dëshmon se ju përkushtohet shumë grupmoshave të reja, duke sjellë kuadro mjaft cilësorë për të punuar me ta.

Bazuar në CV e trajnerit shkupjan, i cili hapat e parë me futbollin i kishte bërë pikërisht te skuadra “bardhekaltër”, mund të themi se ardhmëria e FC Shkupit është në duar të sigurta.

Në vitin 2013-të, Ismaili është licencuar edhe nga UEFA me licencë të tipit “B”, kurse tani vijon edhe më tej me kurse për tu pajisur edhe me licencë të tipit “A”.

Ndryshe karriera e tij si trajner nisi me grupomoshat e reja te KF Beshiktash nga Çairi ku nga duart e tij dolën futbollistë si Mevlan Adili, Husein Demiri, Fatmir Arifi, Fatih Ismaili, Besart Krivanjeva, Besar Iseni dhe Besir Demiri, të gjithë këta që luajtën edhe me ekipin e parë të FC Shkupit, dhe që disa prej tyre ende mbrojnë ngjyrat e kësaj skuadre, e disa të tjerë luajnë nëpër skuadra tjera, qoftë ato evropiane, apo edhe nga vendi ynë.

Me grupmosha të reja, ai ka punuar gjithashtu edhe me ekipin e Shkëndijës së Haraçinës si dhe skuadrën e FC Stars, teksa si trajner i seniorëve, ai kishte udhëhequr skuadrat si Shkëndijën e Haraçinës, Sarajin, ekipin e parë të femrave Biljani Izvor, me të cilët doli kampion i Maqedonisë, duke luajtur edhe në eliminatoret e Ligës së Kampionëve Evropian, ndërsa gjithashtu luajti edhe rolin e ndihmës trajnerit në A përfaqësuesen e Maqedonisë për femra.

Përveç kësaj Ismaili pati një aventurë si trajner edhe te dy skuadrat kosovare të Fushë Kosovës dhe Lepencit nga Kaçaniku, ndërsa tashmë i gjithë përkushtimi i tij do të jenë fëmijët e FC Shkupit gjeneratat 2002 dhe 2006, me të cilët ka filluar punën për disa ditë me rradhë, ku shpreson të ketë rezultate të lakmueshme. Ai beson se me punë dhe me një konkurrencë të shëndoshë, do mund t’ia arrijë qëllimit që të vazhdojë të nxjerrë talentë të rinj, të cilët në të ardhmen do të luajnë edhe jashtë vendit.

 

Leave a Reply