“Final Four”, arbitri i njohur anglez, Tejllor, do drejtojë sfidën për titull në Superligën shqiptare!

Finalja e madhe e “Final 4” në kampionatin elitar shqiptarë, ndryshe i njohur si “Abissnet Superiore”, do të gjykohet nga një arbitër i huaj dhe me shumë eksperiencë në arenën Europiane.

Fjala është për Anthony Taylor, arbitrin 45- vjeçar nga Anglia, i cili mban prej kohësh stemën e FIFA-s.

Ai ka një karrierë të pasur në botën e futbollit, duke drejtuar ndeshje të nivelit të lartë, si në Premierligën angleze, Ligën e Kampionëve, Liga Europa, por edhe evente shumë të rëndësishmë futbollistike të nivel kombëtaresh.

Tejllor ka gjykuar edhe disa finale të rëndësishme, ku vlen të përmendet finalja e vitit të kaluar në Liga Europa, Sevilja – Roma, ndeshjen finale të Kupës së Botës për Klube në sezonin 2022/2023, Real Madrid – Al-Hilal, takimin final të Ligës së Kombeve të sezonit 2020/2021, Spanjë – Francë, sfidën finale të SuperKupës së Europës, sezoni 2020/2021 midis Bajernit të Munihut dhe Seviljës, etj.

Arbitri i njohur anglez së fundmi drejtoi edhe takimin e parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve mbrëmë, midis Borussia Dortmund dhe Paris Sen Zhermen.

Tejllor do të drejtojë ndeshjen më të rëndësishme të edicionit 2023/2024 në Superligën shqiptare, finalen e madhe të “Final 4”, që do të përcaktojë edhe ekipin kampion.

Nga Federata Shqiptare e Futbollit, gjithashtu bëjnë me dije se edhe ndihmësit e Tejllor në finalen e madhe të 26 majit, do të jenë të huaj dhe se ditëve në vijim do të bëhen publike emrat e tyre.

“Final 4” është risia e këtij sezoni në Superligën shqiptare dhe FSHF ju ka dhënë një rëndësi maksimale këtyre ndeshjeve, për ta përmbyllur në mënyrën e duhur edicionin futbollistik.

Ky vendim i tyre, i bënë mirë futbollit elitar shqiptarë, pasi vërtetë është një reklamë e bukur, për të cilët do të shkruajnë shumë media. (infOSport.mk)

Leave a Reply