Braziliani Gabriel Zhesus, futbollisti që nuk njeh disfatë plotë 365 ditë

Zakonisht jemi mësuar të shkruajmë për seriale pozitive të skuadrave, mirëpo tashmë na duhet të shkruajmë edhe për raste individuale, apo më mirë thënë për futbollistin brazilian të Mançester Sitit, Gabriel Zhesus, i cili tashmë një vit të plotë nuk njeh shijen e disfatës me skuadrat që është paraqitur.

Për herë të fundit Zhesus ka dalë i mundur nga fusha e lojës më 29 tetor të vitit 2016-të, kur Palmeiras ku luante asokohe, kishte pësuar disfatë 2:1 nga Santosi.

Lojtari mungoi gjatë këtij viti për tre muaj për shkak të një frakture në këmbë, por gjithsesi ai ka luajtur në 12 muajt e fundit në 35 ndeshje zyrtare, mes Palemieras, Mançester Sitit dhe Brazilit, duke mos regjistruar asnjë humbje gjatë këtyre paraqitjeve. Në fakt, e vetmja “njollë” e 12 muajve të fundit në total është një humbje në miqësore ndaj Argjentinës gjatë verës.

Futbollisti së fundmi arriti edhe një rekord personal që e vendosi atë para Mesit dhe Kristiano Ronaldos. 20-vjeçari arriti kuotën e 50 golave si profesionist në vetëm 118 ndeshje të zhvilluara gjatë karrierës së tij. Lionel Messi e arriti këtë shifër në 124 ndeshje si profesionist me klubin apo kombëtaren, ndërsa Kristiano Ronaldos iu deshën plotë 221 ndeshje.

Leave a Reply