Xhejms dhe Kerri zgjedhin lojtarët titullar për “All Star Game”

Basketbollisti i Klivlendit, Lebron Xhejms dhe ai i Golden Stejtit Stefen Kerri, janë dy basketbollistët më të votuar në NBA për të qenë të pranishëm në mbrëmjen magjike të “All Star Game”, që do të zhvillohet më 18 shkurt, në “Staples Center” të Los Anxhelosit.

Ylli i Klivlendit mori 2,638,294 vota, ndërsa ai i Verriorsave mori 2,238,406 vota, duke fituar të drejtën për të qenë edhe kapitenët e skuadrave. Këtë vit, për herë të parë nuk do të jetë më një përballje mes dy Konferencave (Lindje vs Perëndim), por mes dy kapitenëve, që kanë të drejtën edhe të përzgjedhin lojtarët që do të kenë në krah, në formacionin titullar, nga 8 më të votuarit.

I pari që do të zgjedhë është Xhejms, si më i votuari dhe më pas Kerri e kështu me radhë. Tetë basketbollistët që do ta nisin ndeshjen si titullarë janë: Giannis Antetokounmpo, Joel Embiid, DeMar DeRozan, Kyrie Irving, James Harden, Kevin Durant, Anthony Davis dhe DeMarcus Cousins. Ajo që ra në sy është numri i madh i votave që ka marë basketbollisti i Milvukit, Antetokounmpo, mbi 2.5 milionë vota, më i votuar edhe se Kerri. Më pas, trajnerët e dy skuadrave do të përzgjedhin edhe 7 lojtarët rezervë për këtë ndeshje, por trajnerët nuk mund të zgjedhin lojtarë nga ekipet e tyre.

Leave a Reply