KB Shkupi në një super ndeshje mundi Feni Industri

KB Shkupi ka shënuar fitoren e 5-të këtë edicion dhe një ndër më të rëndësishmet që u hap rrugën atyre për të besuar fuqishëm në mbijetesën në elitën e basketbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

KB Shkupi në ndeshjen e javës së 21-të si vendas me rezultatin e ngushtë 99:98 mundi Feni Industri, ku rol kryesor luajti çereku i parë, në të cilën djelmoshat e trajnerit Enver Miftari, thjesht ishin perfekt. Ata 10 minutëshin e parë e mbyllën me shifrat 34:24, epërsi kjo që i mjaftoi KB Shkupit që në fund të dalë fitues, edhe pse në tre periudhat vijuese skuadra mysafire nga Kavadari i mbyllte me epërsi prej 3 pikësh.

Më i merituari për këtë fitore të “bardhekaltërve” nga Çairi, ishte Xhordan Rid me 25 pikë, 14 kërcime dhe 6 asistime,  ndërsa nuk mungoi edhe ndihma e Adekoge që ndeshjen e mbylli me 19 pikë, 14 kërcime dhe 4 asistime.

Përveç kësaj dyshe te KB Shkupi ishin edhe tre basketbollistë tjerë që ndeshjen e mbyllën me pikë dyshifrore, me Serafimovskin që reazlioi 17 pikë, Dogbo 12 dhe Cogo 11.

Në anën tjetër më efikasi te skuadra e Feni Industri u tregua Predrag Pajiç me 33 pikë, 20 të tjera shtoi kapiteni Jane Petrovski, i cili gjithashtu regjistroi edhe 10 asistime, teksa Sapunxhiev këtë ndeshje e mbylli me 13 pikë, transmeton “infOSport.mk”.

Me këtë fitore KB Shkupi tashmë ndodhet në pozitën e 9-të me 26 pikë, ndërkohë Feni Industri vazhdon të ruajë pozitën e 6-të me 30 pikë të tubuara.

Ndeshjen e rradhës skuadra e trajnerit  Enver Miftari do ta zhvillojë si mysafir ndaj Kozhuvit në Gjevgjeli.

Leave a Reply