Portugalia e fortë edhe pa Ronaldon, “luzitanët” prishin jubileun e Levandovskit (VIDEO)

Portugalia është konfirmuar si lider në grupin 3 të Ligës ‘A’ në turneun e ri të UEFA-s, ndryshe i njohur si Liga e Kombeve, njofton  ‘infOSport.mk’. Kampionja e Europës nga viti 2016 mundi Poloninë në transfertë me rezultatin 3:2, me ç’rast tashmë numëron 7 pikë dhe kryesojnë renditjen para Polonisë që ka vetëm 3 pikë. ‘Luzitanët’ në start kishin mundur Italinë, skuadër kjo që më pas kishte barazuar me Poloninë, duke u renditur kështu vetëm në pozitën e fundit.

Ndryshe Polonia sonte avansoi e para me golin e shënuar nga Krishtof Piatek në minutën e 18-të. Për liderin e golashënuesve në Serie A, i cili po shkëlqen me fanellën e Xhenoas, ishte ky goli i parë i shënuar me fanellën e kombëtares polake. Andre Silva në minutën e 31-të barazoi shifrat, teksa dy minuta para fundit të pjesës së parë një autogol i Glik i dha avantazhin Portugalisë që në pjesën e parë.

Në fillimin e pjesës së dytë Bernardo Silva i Mançester Sitit shënoi edhe golin e tretë për portugezët, ndërsa Jakup Blashçikovski në minutën e 77-të vetëm se ngushtoi epërsinë e mysafirëve, të cilët nga Polonia u kthyen me pikë të plota.

Për Blashçikovskin ishte kjo ndeshja e 103-të me fanellën e Kombëtares së Polonisë, duke u bërë futbollisti me më shumë ndeshje në historikun e kombëtares polake, te e cila sonte ndeshjen e tij të 100-të jubilare regjistroi edhe sulmuesi Robert Levandovski, që megjithatë nuk arriti që të shënojë.

Leave a Reply