Foda pavarësisht mungesave, optimist para ndeshjes me Izraelin!

Seleksionuesi i përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka vlerësuar kundërshtarin, ka folur për mungesat në mbrojtje dhe gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në prag të përballjes së së shtunës nga ora 15:00 kundër Izraelit.

Trajneri gjerman është shprehur i kënaqur me punën e skuadrës në stërvitje, ndërsa ka konfirmuar se Kosova do të ketë disa mungesa në repartin defanziv, përfshirë Lumbardh Dellovën dhe Ilir Krasniqin.

“Jemi të gatshëm për ndeshjen kundër Izraelit. Sot do të zhvillojmë stërvitjen e fundit, ku do të fokusohemi veçanërisht në aspektin taktik. Dellova dhe Krasniqi do të mungojnë, por kemi mjaftueshëm futbollistë në dispozicion dhe besim të plotë te secili prej tyre. Ana pozitive është se mund të kemi edhe ndonjë befasi në formacion”, ka deklaruar Foda.

Foda ka vlerësuar cilësinë e Izraelit, duke veçuar edhe futbollistin Solomon, por ka theksuar se Kosova do ta kërkojë fitoren para tifozëve të saj.

“Izraeli ka një ekip shumë të mirë dhe të përgatitur, veçanërisht me Solomonin në përbërje. Ndeshjet e mëparshme në grup kanë përfunduar me rezultate të ngushta, gjë që dëshmon se ekipet janë shumë afër njëra-tjetrës për nga cilësia. Megjithatë, ne luajmë në shtëpi, kemi mbështetjen e publikut tonë dhe duhet të luajmë me intensitet shumë të lartë për ta fituar këtë ndeshje”, – ka nënvizuar përzgjedhësi i Kosovës, Foda.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe mbrojtësi Dion Gallapeni, i cili ka vlerësuar atmosferën pozitive në ekip dhe përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të kësaj kampanje.

“Atmosfera është mjaft e mirë, duke e ditur rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve. Lojtarët e rinj kanë sjellë energji shumë pozitive brenda grupit. Seancat stërvitore kanë shkuar shumë mirë, me intensitet dhe motivim të madh për këto ndeshje”, – është shprehur Gallapeni.

Fitorja ndaj Izraelit do t’i jepte Kosovës mundësinë të mbetet në garën për vendin e parë në grup, si dhe do ta forconte pozitën e saj në garën për vendin e dytë, që siguron një vazo më të favorshme për shortin e kualifikimeve për Euro 2028 dhe njëkohësisht siguron “play-off”-in për ngjitje në Ligën A.

Aktualisht, Austria kryeson Grupin B3 me tetë pikë, ndërsa Kosova dhe Irlanda kanë nga pesë pikë. Izraeli renditet i fundit me dy pikë.

Leave a Reply