Arbër Zeneli e ka fituar vendin e titullarit në ekipin e tij të ri, Stade de Reims, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në ndeshjet e fundit, ndërsa këtë fundjavë që lamë pas ai u zgjodh edhe në formacionin më të mirë të javës në “Ligue 1”.
Anësori i përfaqësueses së Kosovës bëri një paraqitje mbresëlënëse dhe u shpall lojtari më i mirë i Reims në barazimin 2:2 kundër Amiens të shtunën.
Uebsajti francez i futbollit “football386.fr”, e ka vlerësuar paraqitjen e 24-vjeçarit si të denjë për një vend në formacionin e javës, shkruan Express.
“I ardhur në kampionat këtë dimër, Arbër Zenelit nuk iu desh shumë për t’u adaptuar në ekipin e ri. I mprehtë me top në këmbë dhe shumë i përdorshëm në sulm, kosovari ishte lojtari më i mirë i Reims kundër Amiens të shtunën”, shkruan uebsajti francez për Zenelin.
Futbollisti më i mirë i Kosovës për vitin 2018, ai i cili e udhëhoqi vendin drejt sigurimit të një vendi në “play-off” për kualifikime në Kampionatin Evropian 2020 dhe drejt promovimit në Ligën “C” të Ligës së Kombeve e kompletoi kalimin nga skuadra holandeze e Herenvenit te Reims në fund të afatit kalimtar dimëror, duke u larguar nga elita e futbollit holandez, “Eredevisie”, si asistuesi më i mirë, me 9 asiste dhe 3 gola në 17 paraqitje të stinorit vjeshtorë.
Që prej mbërritjes së tij në Reims më 26 janar, 24-vjeçari ka luajtur 18 minuta kundër Olimpik Marsejës, 6 kundër Tuluzës dhe 40 kundër Ren.
Por, dy javë më parë, ai fitoi vendin e titullarit kundër Montpelje, në një ndeshje që debutoi edhe me gol.
Zeneli ka pesë paraqitje për Reims, dy si titullar dhe ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asiste.
| Formacioni më i mirë i javës në “Ligue 1”: |
| Portier: Marc-Aurèle Caillard (Guingamp) |
| Mbrojtës: Youcef Atal (Nice), Boubacar Kamara (Marseille), José Fonte (Lille) |
| Mesfushorë: Morgan Sanson (Marseille), Arber Zeneli (Reims), Flavien Tait (Angers), Nabil Fekir (Lyon) |
| Sulmues: Moussa Dembélé (Lyon), Radamel Falcao (Monaco), Memphis Depay (Lyon) |
