Dramë në Metropolitano, Atletiko dhe Juve ndahen me barazim, PSZH mund Realin

Një super ndeshje kanë zhvilluar Atletiko Madridi dhe Juventusi në “Vanda Metropolitano”, aty ku drama e vërtetë ndodhi pikërisht në fund të takimit, kur edhe “jorganxhinjët” arritën që të barazojnë rezultatin falë golit të shënuar nga Herera në minutën e 90-të.

Juventusi falë golave të shënuar nga Kuadrado (48’) dhe Matuidi (63’) avansonte me rezultatin 2:0, mirëpo edhe përkundër këtij disavantazhi të besuarit e Diego Simeone nuk u dorëzuan dhe fillimisht me anë të mbrojtësit Stefan Saviç (70’) dhe më pas të mesfushorit Hektor Herera morrën një pikë nga kjo përballje.

Për dallim nga Atletiko, skuadra tjetër nga Madridi, Reali u mund bindshëm nga PSZH-ja me rezultatin 3:0. Anhel Di Maria shënoi dy gola gjatë pjesës së parë, ndërsa golin e tretë për parisienët e realizoi Meunier në minutën e 91-të.

Me po të njëjtin rezultat (3:0), Mançester Siti mundi si mysafir Shakhtarin e Donjetskut, Dinamo Zagrebi i Arijan Ademit, falë “tripletës” së Orsiç dhe një goli të shënuar nga Leovac, mundi Atalantan e Berat Xhimshitit me rezultatin 4:0.

Bajerni i Munihut demoloi serbët e Crvena Zvezdës me rezultatin 3:0 falë golave të shënuar nga Koman (34’), Levandovski (80’) dhe Myller (90+1’), teksa skuadra tjetër gjermane e Bajer Leverkusen u mund në shtëpi nga Lokomtiva e Moskës.

Ndërkohë dy ndeshjet e para të ditës së sotme u mbyllën me barazime. Klub Bryzh dhe Galatasaraj barazuan pa gola, teksa Olimpijakosi dhe Totenhami barazuan me shifrat 2:2.

Leave a Reply