Vëllezërore ndërmjet Shkëndijave Tetovë-Tiranë

Një miqësore vëllezërore ndërmjet Shkëndijës së Tetovës dhe asaj të Tiranës është zhvilluar të mërkurën në Ohër, ku kuqezinjtë tetovarë kanë fituar me shifrat 2:1. Bëhet fjalë për skuadrat kampione të dy vendeve në kategori të juniorëve (U19). Tetovarët avansuan me Muratin, ndërsa Ajazi barazoi në 1:1. Rezultatin final e vulosi talenti i madh tetovar Dashmir Elezi.

Duke u përgatitur për pjesëmarrjen në UEFA Youth League, që është formati i Champions League për futbollistë nën moshën 19-të vjeçare, kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës dhe ajo e Shqipërisë, Shkëndija e Tiranës janë përballur mes veti në një takim të karakterit miqësor-përgatitor. Dueli i luajtur të mërkurën në Ohër është mbyllur me fitore 2:1 të kuqezinjëve tetovarë, ndërsa përveç afrimit dhe bashkëpunimit mes veti, përballja dy skuadrave u ka shërbyer për të përgatitur lojën për eliminatoret e UEFA Youth League. Në një ndeshje të balansuar dhe të bukur për sy të parët avansuan tetovarët në minutën e 14-të kur pas një topi të gabuar në zonën mysafire, Abdulvahit Murati godet saktë për 1:0. Tiranasit u përgjigjën me të njejtën recetë në minutën e 21 kur gabimi i repartit defanziv i mundësoi Ergi Ajazit të sillte simetri në rezultat, për baraspeshë 1:1 në pjesën e parë. Fraksioni i dytë prodhoi lojë të mirë nga dy skuadrat, ndërsa vendimtare rezultoi minuta e 63-të kur Besart Rexhepi asiston bukur për Dashmir Elezin, me këtë të fundit që realizon me një goditje të fortë për rezultat final 2:1. Vlen të ceket paraqitja e golashënuesit të golit të fitores për tetovarët, Dashmir Elezit, një ndër talentët më të dalluar në shkollën e Shkëndijës i cili sërish spikati me paraqitjen e tij edhe pse është i lindur në vitin 2004 dhe ndërkohë luante me gjeneratën e futbollistëve të vitit 2001.

Rezultati final 2:1 për tetovarët nuk kishte kurfarë rëndësie, pasi kjo miqësore-vëllezërore ja vlejti për dy skuadrat në drejtim të fitimit të një pasqyre reale të formës momentale para paraqitjeve europiane. Kujtojmë se ndeshjet e para të eliminatoreve të UEFA Youth League luhen më 2 tetor dhe Shkëndija U19 e Tetovës do të jetë mysafire e Dinamo Kievit në Ukrainë, kurse Shkëndija U19 e Tiranës në Elbasan do të presë Sheriff Tiraspolin e Moldavisë.

SHKËNDIJA U19 (Tet)-SHKËNDIJA U19 (Tir) 2:1 (1:1)

Stadiumi “Burimet e Bilijanës” në Ohër

Golashënues: Abdulvahit Murati 14’ dhe Dashmir Elezi 63’ (Shkëndija U19-Tetovë), ndërsa Ergi Ajazi 21’ (Shkëndija U19-Tiranë).

SHKËNDIJA U19 (Tetovë): Astrit Amzai, Ardijan Beqiri, Almir Rexhepi, Redon Qamili, Imran Fetai, Altrim Jakupi, Ediz Spahiu, Ron Sinani, Fiton Ademi, Ramin Aliu, Abdulvahit Murati.

Në pankinë: Jeton Mehdiji, Çlirim Imeri, Erion Nuredini, Albin Fetai, Besar Rexhepi, Agan Zuber dhe Dashmir Elezi.

Trajner: Mensur Jakupi

SHKËNDIJA U19 (Tiranë): Igli Harja, Spiro Konomi, Endrit Marku, Franc Lena, Benito Culli, Anxhelo Demaj, Ergi Ajazi, Toni Selimi, Henri Sulovari, Klejdi Nikola, Albion Alimema.

Në pankinë: Xhovani Gjoka, Kristi Lleshi, Roni Maloku, Jonis Shqalshqi, Benard Cekolli, Arisildo Gjeta, Mustafa Qoshja, Mateo Miraka dhe Geralb Smajli.

Trajner: Ervin Bulku

Leave a Reply