Talenti shqiptarë, Veton Tusha prezantohet te Denizlispor

Numri i futbollistëve shqiptarë në futbollin turk po shtohet thuajse për çdo ditë. Futbollisti i rradhës që ka vendosur ta vazhdojë karrierën atje, është talenti 18-vjeçar, Veton Tusha, i cili së fundmi ishte pjesë e Vardarit, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për një qendërsulmues, me një fizik shumë të përsosur për atë pozitë, i cili me skuadrën e superligës turke ka nënshkruar kontratë për 3 vite e gjysmë.

Ndryshe karrierën e tij e kishte nisur në vendlindjen e tij, në Kosovë, me akademinë e “New Star – Kaçanik”,  me trajner Fatos Vishin, për të vijuar më pas në Prishtinë me akademinë e Arsenalit,me trajnerët : Hetem Sogojeva, Huar Morina dhe Bujar Vraniqi.

Talenti i tij u vërejt edhe nga vetë trajnerët, ndërsa ambiciet e larta të këtij super talenti bënë që i njëjti më pas të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt Shkupit, duke iu bashkuar një ndër akademive më të mira në vend, Vardarit.

Për transferimin e tij në shkollën e Vardarit, atë kohë kishin insistuar dy emrat e mëdhenj të futbollit tonë vendor, Boban Babunski dhe Darko Pançev, që atë kohë kishin poste udhëheqëse te skuadra shkupjane, ndërsa talentin e tij e vërejtën shumë shpejtë edhe trajnerët e tij, Filip Despotovski, Filip Ivanovski, Igor Kralevski dhe Sasho Gollubiç (trajner kondicional).

Ndërkohë falë paraqitjeve të shkëlqyeshme me fanellën e Vardarit dhe golave të shënuar, Veton Tusha zgjoi interesimin edhe të skuadrës turke, Denizlispor, me të cilën skuadër sot edhe zyrtarisht është prezantuar.

Ai që më herët kishte kryer të gjitha detajet, mirëpo për shkak moshës së mitur (18 vjet mbushi me 29 dhjetor 2020), i njëjti duheshe të pret merkaton e janarit, që edhe zyrtarisht të bëhet pjesë e kësaj skuadre të njohur turke.

Në realizimin e këtij transferi, një rol të veçantë kanë luajtur edhe menaxherët, Urim dhe Lavdrim Saliu, Gokmen Kore (ish futbollist turk), duke mos harruar këtu përkrahjen edhe të Halil Shengyl nga Turqia.

Dyshja e menaxherëve të rinj shkupjan, por mjaft ambicioz, Urim dhe Lavdrim Saliu, njëherit është e angazhuar edhe te shkolla e futbollit “Skupi”, por edhe më gjërë, me qëllim që talentëve të dalluar të moshës së rritur, diku 16-vjeçare e më lartë të ju ndihmojnë në zhvillimin e tyre fizik (me nutricionist, trajner kondicional dhe stërvitje individuale), por njëkohësisht duke orientuar ata drejt ndonjë klubi më të madh, e që realisht është ëndërr e çdo futbollisti të ri.

Ndryshe në gjithë këtë arritje të futbollistit të talentuar Veton Tusha, me origjinë nga Kaçaniku i Kosovës, një ndikim të madh ka edhe përkrahja e madhe nga ana e familjes së tij në përgjithësi, që në asnjë moment nuk e kanë lënë vetëm, duke i dhënë kurajo vazhdimisht që ëndërrën ta bëjë realitet, në moshë të re të transferohet jashtë vendit, në një skuadër si Denizlispor, që e sheh si trampolinë në karrierën e tij profesionale, që veç që ka filluar.

Me këtë rast, edhe stafi i “infOSport.mk” i uron për këtë transferim Veton Tushës, me shpresë se shumë shpejtë do të shkruajmë edhe për ndonjë transferim tjetër edhe më të bujshëm.

Leave a Reply