E kishte dhunuar një vajzë shqiptare, ja me sa vite dënohet ylli braziliani, Robinjo!

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Milanos ka konfirmuar dënimin me 9 vite burg për Robinjon dhe shokun e tij, Falko. Të dy kishin poshtëruar dhe përdhunuar një vajzë në vitin 2013, që sipas raporteve ishte shqiptare.

Siç raporton ANSA, në vitin 2013, kur ai ishte ende një futbollist i Milanit, Robinjo u akuzua për përdhunimin e një vajze e cila ishte vetëm 23-vjeçe në atë kohë.

Kjo ngjarje e shëmtuar kishte ndodhur në një klub nate në Milano, aty ku ylli brazilian kishte shkuar bashkë me 4 miq të tjerë. Ai fillimisht e kishte dehur vajzën dhe më pas e kishte përdhunuar në një dhomë zhveshjeje të klubit.

Kjo aktakuzë më pas u konfirmua nga seksioni i parë penal i apelit. Muaj më parë Santos, ekipi brazilian që Robinjo zgjodhi për t’i dhënë fund karrierës së tij në futboll, e largoi atë nga skuadra.

Kjo sepse në Brazil përsëri flitej për këtë gjyq të famshëm dhe ishin publikuar disa përgjime të hetimit për dhunën ndaj vajzës shqiptare.

Vendimi i Gjykatës së Apelit në Milano konfirmoi dënimin prej 9 viteve për Robinjon dhe mikun e tij Rikardo Falko, i vetmi midis katër të tjerëve që u përgjua.

Të dy brazilianët u dënuan gjithashtu për të dëmshpërblyer viktimën, palën civile me avokatin Jacopo Gnocchi, me 60 mijë euro.

Leave a Reply