Shkëndija zhgënjeu “Ballistët”, vetëm barazim ndaj Tikveshit (VIDEO)

Shkëndija e Tetovës ka zhgënjyer tifozët e saj, “Ballistët”, të cilët pas përfundimit të ndeshjes ndaj Tikveshit kërkuan nga lojtarët e tyre të angazhohen më shumë dhe mos të përsërisin lojra të këtilla, si ajo e sotmja ndaj skuadrës nga Kavadari, shkruan “infOSport.mk”.

Edhe pse “kuqezinjtë” ishin favoritë absolut ndaj Tikveshit, ata në fund nxorrën vetëm një barazim zhgënjyes 1:1, duke irituar në këtë mënyrë tifozët e tyre.

Vetëm një minutë para fundit të pjesës së parë, Shkëndija gjeti golin me anë të Florent Ramadanit, i cili shënoi nga një aksion model, të cilin mund ta shohim vetëm në “playstation”.

Doriev pasoi për Ramadanin i cili pas një dubël-pasimi me Merxhanin, shënoi në rrjetën e Dimovskit për 1:0.

Ky rezultat ishte valid deri në minutën e 83-të, kur pas një gabimi të dyshes mbrojtëse të Shkëndijës, Bejtullai-Krivak, përfitoi futbollisti i Tikveshit, Urosh Mirkoviç, i cili në ato momente solli barazim të rezultatit.

Ky gol erdhi në një moment shumë të vështirë për Shkëndijën, që nuk arriti të shfrytëzojë barazimet e Renovës dhe Akademia Pandevit, për tu afruar sa më afër me kreun e tabelës.

Pas 12 xhirove të para, Shkëndija numëron 18 pikë, duke u renditur në pozitën e 5-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply