Struga Trim Lum barazon sërish, këtë herë përballë Akademia Pandev

Struga Trim Lum nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola përballë Akademia Pandev në ndeshjen e xhiros së 12-të, njofton “infOSport.mk”.

Trajneri Srgjan Zaharievski e nisi këtë takim me forca të reja në repartin e sulmit, ku për krahë futbollistit me eksperiencë, Bunjamin Shabanit, vendosi të luajë me dyshen Hristijan Maleski dhe Ivan Galevski, ndërsa në qendër të mesfushës në vend të Bojkut të suspenduar (5 kartonë të verdhë) kishte vendosur Klisman Cake.

Mirëpo edhe përkundër këtyre ndryshimeve të bëra në formacionin bazë, mungoi goli, edhe pse gjatë pjesës së parë struganët ishin dukshëm skuadër më e mirë në terren.

Ishte Galevski i pari që u kanos me të majtën e tij, por që në këtë rast portieri Jovanovski intervenoi mjaft mirë, që më pas Jasmin Mecinoviq me kokë të tentoj pas rivënies nga këndi, por pa ndonjë rrezik më të madh për gardianin e Akademia Pandev.

Rastin më të mirë gjatë pjesës së parë e pati Bunjamin Shabani në minutën e 30-të, mirëpo edhe pse doli i vetëm para portierit kundërshtarë, nuk arriti që të shënojë.

Pjesa e dytë doli të jetë më e vakët, me mysafirët që i’a arritën qëllimit për të mos pranuar gol, duke ndaluar aksionet e skuadrës vendase që nga gjysmëfusha, edhe atë falë ndërhyrjeve të shpeshta që i shkaktonin ndaj futbollistëve të Struga Trim Lum.

Rastin më të mirë në këtë pjesë e pati Ivan Galevski, i cili pas një devijimi të topit nga ana e portierit mysafir, Jovanovski, i cili kishte pritur goditjen e Maleskit, goditi vetëm shtyllën.

Në minutën e 62-të, trajneri Zaharievski inkuadroi në lojë edhe Emir Skenderin, mirëpo gjërat nuk ndryshuan në terren, ashtu që në fund Struga Trim Lum duheshe të pajtohet edhe me barazimin e tretë rradhazi dhe të katërtin në 5 ndeshjet e fundit.

Ndryshe barazimi i sotëm ndaj Akademia Pandev, ishte i treti për Struga Trim Lum nga po aq ndeshje të zhvilluara ndaj skuadrës nga Strumica në Strugë.

Pas 12 xhirove Struga Trim Lum me 16 pikë renditet në pozitën e 6-të, ndërkohë Akademia Pandev mban pozitën e tretë me 22 pikë.

Ndeshjen e rradhës që në program është javën që vjen, Struga Trim Lum do ta zhvillojë si mysafir në Manastir kundër Pelisterit, ndërkohë Akademia Pandev do të ketë një detyrë të vështirë në Shkup përballë Rabotniçkit. (infOSport.mk)

Leave a Reply