Pranverë e bukur për Voska Sport, 7 fitore dhe 2 barazime në 9 ndeshje

Voska Sport po bënë një sezon të shkëlqyeshëm në Ligën e Dytë – Perëndim, aty ku për momentin ndodhet në pozitën e dytë, që ju siguron atyre ndeshjen e balotazhit, përmes së cilës mund të shpresojnë për inkuadrim në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”.

Voska Sport gjysmësezonin e parë e mbylli në pozitën e dytë me 32 pikë, 9 më pak se liderët e Sileksit, ndërsa tashmë pas 9 xhirove të zhvilluara në sezonin pranveror, dallimi mes këtyre dy skuadrave është 7 pikë në favor të skuadrës nga Kratova.

Voska Sport në këto 9 xhiro ka regjistruar 7 fitore dhe 2 barazime, ndërkohë Sileksi 6 fitore dhe 3 barazime. Vërtetë rezultate impresionuese nga të dyja skuadrat, e në veçanti Voska Sport në këtë pranverë të bukur, ku skuadra shqiptare nga Ohri ka realizuar plotë 19 gola, derisa ka pranuar vetëm 2.

Lider i padiskutueshëm te Voska Sport po del të jetë Izair Emini, i cili me golat e tij po ndihmon këtë skuadër drejt objektivit, inkuadrimit në Ligën e Parë.

Voska Sport javën që vjen në terren vendas do të mirëpret Vardarin, dhe një fitore eventuale do ju siguronte atyre pozitën e dytë, duke pasur parasysh se më pas do të zhvillohen vetëm edhe dy xhiro.

Sileksi dhe Voska Sport ndeshjen mes tyre do ta zhvillojnë me 14 maj, kur edhe zyrtarisht  do të mësojmë renditjen përfundimtare në Konferencën e Perëndimit, e që me shumë gjasa do të mbetet e njëjtë, me Sileksin si kampion dhe Voska Sportin nënkampion. (infOSport.mk)

Leave a Reply