Shkupjani Sunaj Hasan e mbylli me gol dhe si kampion sezonin me Ferizajin

Sunaj Hasan edhe përkundër mungesës në një pjesë të bukur të sezonit në Ligën e Parë të Kosovës, ai dha një kontribut shumë të madh që Ferizaji i tij në fund të siguroj një vend për në Superligën e Kosovës për edicionin e ardhshëm, shkruan “infOSport.mk”.

Sulmuesi shkupjan, skuadrës së njohur kosovare iu bashkua që në fillim të sezonit, i cili doli të jetë shumë i mbarë për të në aspektin individual, pasi që në xhirot e para arsyetoi besimin e trajnerit Arbnor Morina, me të cilin kishte punuar më parë edhe te Arbëria.

“Sunajin e njoh që më herët dhe mund të them se edhe ai na ka shërbyer mjaft gjatë këtij sezonit, mirëpo lëndimi e largoi atë për një kohë nga fushat e futbollit. Megjithatë mund të them se edhe ai ka kontribuar për suksesin e Ferizajit“ – u shpreh trajneri i skuadrës ferizajase, Arbnor Morina.

Golat e tij në fillim të sezonit ndihmuan Ferizajin që të shihet si pretendente, ndërsa i njëjti vazhdoi të ndihmojë skuadrën edhe kah fundi, kur edhe e mbylli sezonin me gol, duke shënuar në xhiron e fundit kundër Vllaznisë së Pozheranit.

Ishte ky goli i katërt sezonal për Sunaj Hasanin me fanellën e Ferizajit, drejtuesit e së cilës skuadër që tani po mendojnë për sezonin e ri në mesin e më të mirëve në futbollin kosovar, i cili starton me 13 gusht. (infOSport.mk)

Leave a Reply