Kombëtarja e Brazilit zyrtarizon trajnerin e përkohshëm

Ramon Menezes është emëruar trajneri i përkohshëm i kombëtares së Brazilit. 50-vjeçari në postin e trajnerit zëvendëson Titen, i cili u shkarkua pas zhgënjimit në Botërorin e fundit në Katar, që u zhvillua në fund të vitit që lamë pas.

Menezes ishte trajneri i Brazilit U20, me të cilën skuadër ishte shpallur kampion i Amerikës së Jugut, që u zhvillua në Kolumbi.

Trajneri u takua me Ednaldo Rodrigues, presidentin e CBF, ditën e djeshme, ndërkohë që sot erdhi zyrtarizimi. Menezes do të debutojë në pankinën e Brazilit me 25 mars në miqësoren ndaj Marokut.

“Ramon Menezes meriton një konsideratë të veçantë. Ai është një trajner me potencial të madh. Ne duam gjithnjë e më shumë njerëz me ide të reja dhe të guximshme në ekipet kombëtare. Ai ka siguruar rezultate të shkëlqyera dhe ka arritur të bëjë që skuadra të luajë në mënyrë moderne, në përputhje me karakteristikat e futbollit tonë”, u shpreh presidenti i Federatës.

Ndërkohë, ëndrra e madhe e drejtuesve të futbollit brazilian vazhdon të mbetet Karlo Anceloti, por italiani ka bërë të ditur që do e mbyllë sezonin te Reali i Madridit.

Leave a Reply