Tikveshi ndërpreu serinë prej 7 ndeshjeve pa humbje të Voska Sport (VIDEO)

Tikveshi ka ndërprerë serinë prej 7 ndeshjeve pa humbje të Voska Sport, skuadër kjo që pjesën e dytë duheshe ta luaj me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit me të kuq të Alen Jasharoskit, një ndër futbollistëve më në formë te skuadra shqiptare nga Ohri, i cili në 3 ndeshjet e fundit kishte realizuar 4 gola, njofton “infOSport.mk”.

Jasharoski u ndëshkua direkt me të kuq vetëm në minutat shtesë të pjesës së parë, ku sipas arbitrit Aleksandar Stavrev, sulmuesi i Voska Sport me qëllim kishte goditur në fytyrë sulmuesin kundërshtarë Ediz Spahiu.

Ndryshe Tikveshi pavarësisht inciativës së skuadrës vendase, kishte kaluar në epërsi falë golit të shënuar nga Ivan Ivanovski në minutën e 27-të.

Gjithçka mirë paraprakisht kishte bërë sulmuesi shqiptarë, Xhemal Ibishi, i cili pasi u lirua nga kundërshtari i tij në zonën e rreptësisë, gjeti të vetmuar Ivanovskin, që nuk e kishte të rëndë për të shënuar golin e avantazhit.

Me një lojtar më pak në fushë, mundësitë për të rrezikuar portën mysafire ishin shumë më të vogla, ashtu që vendasit e Voska Sport, golin e barazimit vendosën ta kërkojnë me goditje nga distanca. Ishin futbollistët si Koçoski e Jahiji, që provuan, mirëpo pa arritur dot, njëjtë sikurse edhe Marushiç dhe Nikoliç, që gjithashtu rrezikuan portën e mysafirëve.

Pas gjithë këtyre tentativave që nuk dhanë rezultat, në minutën e 76-të, sulmuesi i Tikveshit, Ediz Spahiu shfrytëzoi daljen nga porta të gardianit vendas, Burhan Mustafa, duke shënuar në këtë mënyrë edhe golin e dytë në rrjetën e tij.

Ky gol erdhi në një moment shumë të papërshtatshëm dhe të papritur, duke ndikuar në rrjedhën e fundit të lojës, me ç’rast skuadra e Voska Sport në minutën e 80-të pranoi edhe golin e tretë, duke pësuar kështu disfatën e parë pas 7 ndeshjeve pa humbje, përfshirë këtu edhe dy ndeshjet e Kupës.

Ndeshjen e rradhës, F.C  Voska Sport do ta zhvillojë kundër Bregallnicës në Shtip. (infOSport.mk)

Leave a Reply