Të mërkurën e 21 majit në program është finalja e madhe e Kupës së Maqedonisë, për të cilën do të diskutojnë, Vardari dhe Struga Trim Lum, njofton “infOSport.mk”.
Për këta të fundit do të jetë kjo vetëm finalja e dytë në histori, ndërsa me një fitore eventuale ekipi strugan do të shkruante një histori të re.
Pas dy titujve kampion, Struga Trim Lum tashmë dëshiron të bëjë për vete edhe trofeun e Kupës, që i mungon, ndërsa në anën tjetër Vardari do të luaj për herë të 7-të në një finale, mirëpo për herë të parë pas plotë 18 viteve.
Kjo ndeshje pritet me shumë interesim në vendin tonë, ndërkohë prej sot edhe zyrtarisht në shitje kanë dalur biletat, të cilat do të shiten me një çmim simbolik prej 50 dhe 100 denar.
Për një biletë në tribunën jugore dhe veriore, çmimi është 100 denar, ndërsa 50 denarë do të kushtojë një biletë për në tribunën Perëndimore, aty ku pritet të jenë të vendosur tifozët e skuadrës së Vardarit.
Shitja e biletave do të bëhet përmes platformës së FFM-së, eticket.ffm.mk.
Ndeshja Struga Trim Lum – Vardari luhet të mërkurën e 21 majit me fillim në ora 19:00 në arenën “Todor Proeski”.
