Pavarësisht disfatës 3:1 nga Sileksi në ndeshjen e fundit të sezonit 2024/25, në Tetovë nuk mungoi festa e titullit kampion të Shkëndijës, skuadër kjo që një gjë të tillë kishte siguruar që dy xhiro më parë, njofton “infOSport.mk”.
Drejtuesit e skuadrës së Shkëndijës kishin përgatitur gjithçka në mënyrë perfekte, duke filluar që nga programi artistik, e deri te momenti kulminant, ngritja e trofeut lartë nga kapiteni Besart Ibraimi.
Ishte ky titulli i pestë për skuadrën tetovare, që në këtë mënyrë rikthen titullin kampion në Tetovë pas plotë 4 viteve.
20 fitore, 10 barazime dhe vetëm 3 disfatë në 33 xhiro, i mjaftuan skuadrës së Shkëndijës për të dalë e para në kampionat me 70 pikë, 3 më shumë se Sileksi i vendit të dytë, që sot në Tetovë i’a doli të shënojë fitore, mirëpo që kaloi nën hijen e festës “kuqezi”.
Sulmuesi Marko Gjorgjievski shënoi dy gola, ndërsa një tjetër në minutat shtesë realizoi Angelço Timovski për Sileksin në takimin e zhvilluar sot, teksa golin e nderit për Shkëndijën dhe të fundit të këtij edicioni e realizoi Fiton Ademi.
NDESHJET TJERA
Besa nga Dobërdolli shënoi fitore 4:1 në udhëtim te Pelisteri, mirëpo edhe përkundër këtij fakti, kjo skuadër mbijetesën në elitën e futbollit vendor, do ta kërkojë përmes ndeshjes së balotazhit. Armend Alimi, Remzifaik Selmani, Arsim Lamallari dhe Hisar Ali shënuan golat për skuadrën shqiptare, derisa golin e vetëm për Pelisterin e realizoi mesfushori rus, Tarasenko.
Fitore me shumë peshë regjistroi AP Brera, që mundi Rabotniçkin me rezultatin 3:2. Kjo fitore skuadrës nga Strumica i siguroi mbijetesën, duke i ikur madje edhe ndeshjes së balotazhit.
Tashmë ish kampionët e vendit, Struga Trim Lum, barazuan 3:3 ndaj Tikveshit në Kavadar, duke bërë që sezonin aktual ta mbyllin në pozitën e katërt. Kujtojmë, ekipi strugan të mërkurën do të zhvillojë finalen e Kupës kundër Vardarit, skuadër kjo që në tavolinë, tashmë për shkaqe të ditura, morri tre pikët ndaj Gostivarit, njëjtë sikurse edhe FC Shkupi kundër Voska Sport. (infOSport.mk)
|
LPFMV | Java 33 |
||||||||||||||||||
|
