Besnik Ferati sërish siguron Europën me Malishevën

Shkupjani Besnik Ferati për të dytin vit rradhazi me skuadrën e Malishevës ka siguruar një vend për në garat europiane, shkruan “infOSport.mk”.

Malisheva e tij në ndeshjen e xhiros së fundit në elitën e futbollit kosovar, barazoi 2:2 ndaj Prishtinës në udhëtim, barazim ky që ju mjaftoi atyre për të siguruar pozitën e tretë në renditje me 53 pikë, dy më shumë se Gjilani i vendit të katërt.

Kujtojmë, Ferati bashkë me Malishevën një sukses të tillë kishte arritur edhe edicionin e kaluar, kur kjo skuadër kishte hasur në dy përballje me malazezët e Budiuçnost Podgorica në kuadër të Ligës së Konferencës.

Që në të dyja ndeshjet, Ferati kishte dhënë kontributin e tij, njëjtë sikurse edhe gjatë sezonit aktual në Superligën e Kosovës, aty ku regjistroi 24 paraqitje, 1 gol dhe 2 asistime.

Mesfushorit 25-vjeçar në fund të qershorit i skadon kontrata me Malishevën, mirëpo siç qëndrojnë gjërat, bashkëpunimi pritet të vazhdojë dhe sërish bashkë të mirëpresin, fillimisht garat europiane në Ligën e Konferencës, e më pas edhe sezonin 2025/26 në elitën e futbollit kosovar, ku Malisheva, sërish do të tentojë pozitat e sipërme në renditje. (infOSport.mk)

Leave a Reply