Drita dje edhe zyrtarisht pranoi trofeun e titullit kampion, ndërsa vetëm një ditë më vonë, drejtuesit e kësaj skuadre kanë prezantuar edhe përforcimin e parë për sezonin e ri, shkruan “infOSport.mk”. Bëhet fjalë për sulmuesin e skuadrës së Skënderbeut, Liridon Balaj, i cili në hapësirat e skuadrës gjilanase u prezantua nga Drejtori Sportiv, Valon Zymberi.
Liridon Balaj si i ri ishte pjesë e ekipit të KF Besa nga Peja, derisa në sezonin 2018/19 u largua në drejtim të futbollit zviceran, ku për disa vite ishte pjese e ekipeve si FC Aarau dhe FC Schaffhausen. Ai gjithashtu për një kohë ka luajtur edhe në futbollin belg, më konkretisht me ekipin e Deinze.
Balaj do të jetë një forcë e re e ekipit kampion të Kosovës, që me Zekirja Ramadanin në krye pas 4 viteve riktheu titullin kampion në Gjilan. (infOSport.mk)
