Jasir Asani ndërron skuadër, mirëpo jo edhe Kontinent, pasi do vazhdojë të mbetet në Azi, shkruan “infOSport.mk”.
Shkupjani nga ekipi jug-korean i Gwangju do të vazhdojë karrierën te skuadra e Yokohama F. Marinos. Palët tashmë janë duke precizuar detajet e fundit, që kanë të bëjnë me pagën e futbollistit shqiptarë, i cili në Korenë e Jugut me skuadrën e Gwangju luajti për dy vite e gjysmë.
Asani ishte ndër futbollistët më të dalluar te skuadra jug-koreane, për të cilën edicionin e fundit zhvilloi gjithsej 26 ndeshje, duke realizuar 13 gola, 9 prej të cilëve në Ligën e Kampionëve Aziatik, aty ku është në garë për futbollistin më të mirë të edicionit që lam pas, edhe atë me emra të njohur të futbollit botëror, si Kristiano Ronaldo, Roberto Firminjo dhe Rihad Mahrez.
Ndryshe, Asani me fanellën e Gwangju numëron gjithsej 74 ndeshje, duke u bërë skuadra e dytë pas Partizanit të Tiranës, për të cilën ka zhvilluar më së shumti ndeshje në karrierë.
Kujtojmë, Asani është një fëmijë i Vardarit, i cili në Maqedoni ka veshur edhe fanellën e FC Shkupit dhe Pobedës, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe me AIK Stokholm në Suedi dhe me Kisvarda në Hungari. (infOSport.mk)
