Futsal Club Forca nga Kumanova gjatë ditës së sotme ka mësuar kundërshtarët e saj për ndeshjet e turit para-eliminator të Ligës së Kampionëve në futsal.
Shorti deshi që kampionët e vendit tonë në futsal të shortohen në grupin “A”, së bashku edhe me Yerevan Futsal Club (Armeni), FC Encamp (Andora) dhe SS Murata (San Marino).
Trajneri i mirënjohur kumanovar, Gazmend Hiseini, ka komentuar mundësitë e ekipit të tij në këto kualifikuese, duke besuar në kualifikimin e ardhshëm që është “Main Round”.
“Shorti në shikim të parë duket në favor tonin. Ndeshja kryesore do të jetë me ekipin nga Armenia. Përparësi e jona është se për herë të parë do të luajmë në Kumanove, përpara tifozëvë tanë në palestrën e sporteve dhe mendoj se prapë do të kualifikohemi për Main Round”, – ka deklaruar Hiseini për “Open-TV”.
Ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen në datat 26–31 gusht, ndërsa në ndeshjet e fazës kryesore do të kualifikohen vetëm skuadrat e renditura në vendin e parë në secilin grup.
Përparësi e Futsal Club Forca, është se kjo skuadër do të jetë nikoqire e grupit “A” në Kumanovë, aty ku pritet të kenë një përkrahje të madhe. (infOSport.mk)
