Drejtori Gjeneral i KF Arsimit, Ramadan Saliu, flet në prag të ndeshjes me Bashkimin

KF Arsimi sot shkruan historinë. Skuadra nga Çegrani për herë të parë do të debutojë në Ligën e Parë të RMV-së, ndërsa fati deshi që kjo skuadër që në start të përballet me skuadrën tjetër shqiptare, Bashkimin, që gjithashtu këtë vit u rikthye në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.

Në prag të këtij takimi historik, që luhet sot në Kumanovë me fillim në ora 17:30, nga tabori i “verdhezinjëve”, ka folur Drejtori Gjeneral, Ramadan Saliu.

“Ndeshja e sotme kundër KF Bashkimit është një sfidë e madhe për ne, por edhe një mundësi e shkëlqyer për të treguar forcën dhe vendosmërinë e klubit tonë. Loja jonë ka përparuar shumë, dhe sot do të japim maksimumin në fushë, duke treguar se jemi një skuadër që lufton për çdo top dhe nuk dorëzohet kurrë.” – u shpreh fillimisht Drejtori Gjeneral i KF Arsimit, Ramadan Saliu.

Ai foli edhe për ambiciet e skuadrës së vetme debutuese këtë edicion në Ligën e Parë. Edhe pse janë një skuadër e re, ata besojnë se me forca të bashkuara mund të arrijnë gjithçka.

“Ambiciet tona janë të mëdha, synojmë të ngrihemi sa më lart në renditje dhe të bëjmë krenar çdo tifoz që na mbështet. Çdo ndeshje është një hap më pranë realizimit të ëndrrave tona, dhe sot do të japim gjithçka për fitoren, duke treguar se në këtë klub ka pasion, disiplinë dhe zemër të madhe. Le të mbështesim skuadrën me gjithë zemër, sepse së bashku mund të arrijmë gjithçka!” – u shpreh Saliu, i cili beson edhe tek fondi i futbollistëve të përzgjedhur gjatë kësaj merkatoje, e ku KF Arsimi arriti të angazhojë plotë 12 futbollistë të rinj.

“Verdhezinjtë” nga Çegrani vetëm tre ditë më parë brenda ditës prezantuan 4 emra të rinj, si portierin Dejan Siljanovski, Rinor Ajdinin, Medin Bajramin dhe sulmuesin Dejan Peroviç, ndërkohë që më herët kishin angazhuar edhe emra, si: Sikiru Okanlaëon Olatunbosun, super mesfushorin shkupjan, Xhemil Jahiji, mbrojtësin e krahut të majtë, Bashkim Veliu, mesfushorin boshnjak, Armin Besagiç, sulmuesin Leonid Ignatov, mbrojtësin boshnjak, Amer Drjleviç, mesfushorin defanziv nga Kameruni, Gabriel Yapy Tenlep dhe sulmuesin e krahut, boshnjakun Mirnel Huriç. (infOSport.mk)

Leave a Reply