Taulant Seferi nuk u ftua edhe për ndeshjet e nëntorit nga ana e trajnerit të kombëtares shqiptare, Sylvinho, mirëpo kjo nuk e ka penguar aspak sulmuesin kumanovar për të reaguar edhe njëherë tjetër me gola në Ligën e Parë Turke, shkruan “infOSport.mk”.
28-vjeçari Seferi shënoi dy gola në fitoren 5:0 të Bodrumspor përballë Istanbulspor, duke qenë një ndër protagonistët kryesor të këtij takimi.
Seferi golin e parë e realizoi në minutën e fundit të pjesës së parë, kur me një goditje nga jashtë zonës ngriti epërsinë e Bodrumspor në 2:0, ndërsa golin e dytë personal e realizoi në minutën e 68-të, kur pasi vrapoi më shumë se gjysmën e terrenit, me të djathtën e tij mposhti edhe njëherë tjetër portierin mysafir, Dogan.
Përveç Seferit, te Bodrumspor luajti edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare Arlind Ajeti, ndërsa në anën tjetër te Istanbulspor titullarë ishte mesfushori kosovar Florian Loshaj, si dhe sulmuesi maqedonas, Mario Krstovski.
Ndryshe, falë “dopietës” së sotme, Seferi arriti në shifrën e 9 golave të shënuar, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve pas 13 xhirove të kaluara. (infOSport.mk)
