Sot kryeqendra jonë mirëpriti ndeshjen midis dy njohësve të vjetër në futbollin vendor, Vardarit dhe FC Shkupit. Dhe si zakonisht kur luajnë këto dy skuadra, qyteti është i zëshëm, ndërsa ashtu ndodhi edhe sot, edhe pse duhet pranuar se nuk kishte atë kënaqësinë e derbit, si në fushë, ashtu edhe në tribuna.
Ndeshja në fjalë u zhvillua në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së, ndërsa për shkak rrezikut të lartë, nuk ishin lejuar tifoz të skuadrës mysafire.
Kësisoj, në tribuna u vërejtën vetëm tifozët e Vardarit, ndryshe të njohur si “Komitët”, të cilët si zakonisht edhe pa përballje direkte me tifozët rival, ishin në qendër të vëmendjes, duke prishur rendin.
Lidhur me këtë ndodhitë brenda stadiumit, kanë reaguar edhe nga MPB, të cilët kanë njoftuar se kanë arrestuar shtatë persona për prishje të rendit dhe qetësisë publike pas përfundimit të ndeshjes mes Vardarit dhe Shkupit.
“Sot (30.11.2025), pas përfundimit të ndeshjes së futbollit në kuadër të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, e luajtur ndërmjet ekipeve të KF Vardari AD Shkup dhe KF Shkupi- Shkup, në kompleksin sportiv të FFM “Petar Miloshevski”, për shkak të kryerjes së kundërvajtjeve me hedhje të mjeteve piroteknike nga Ligji për parandalimin e dhunës në ndeshjet sportive, si dhe për prishje të rendit dhe qetësisë publike me sjellje të pahijshme dhe arrogante dhe mosrespektim të urdhërave të punonjësve policorë në dy lokacione të ndryshme në territorin e qytetit të Shkupit, janë arrestuar gjithsej shtatë persona, ndaj të cilëve do të ndërmerren masa në përputhje me dispozitat ligjore”, – thuhet në komunikatën e MPB-së.
