Bordi Drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) në seancën e sotme vendosi të mos ia vazhdojë kontratën seleksionuesit të përfaqësueses A të Maqedonisë, Blagoja Milevski, mandati i të cilit skadoi më 30 nëntor të vitit 2025. Milevski që nga viti 2014 ishte i përfshirë në punën e dy ekipeve më të rëndësishme përfaqësueses të Maqedonisë.
Gjatë mandatit të tij si trajner i ekipit më të mirë përfaqësues të Maqedonisë, nga 1 gushti 2021, Milevski e udhëhoqi Maqedoninë në 48 ndeshje.
Nën udhëheqjen e tij, ekipi përfaqësues i vendit regjistroi 18 fitore, 14 barazime dhe 16 humbje. Gjatë kësaj periudhe, Maqedonia arriti të fitojë dy ndeshje “play-off” për një vend në Kupën e Botës, përfundoi e para në segmentin C të Ligës së Kombeve dhe siguroi një vend në divizionin B në edicionin e ardhshëm të garës.
“Federata e Futbollit e Maqedonisë shpreh mirënjohjen e saj të sinqertë për seleksionuesin Blagoja Milevski dhe stafin e tij, për punën e tyre të përkushtuar, bashkëpunimin profesional dhe rezultatet e arritura. I urojmë shumë suksese në karrierën e tij të ardhshme stërvitore”.
Bordi Drejtues i FFM-së beson se ekipi përfaqësues i Maqedonisë ka nevojë për energji të re dhe një motivim të ndryshëm për sfidat e ardhshme që e presin ekipin përfaqësues të Maqedonisë.
“Ne besojmë se me një ekip të ri profesional, do të sillet një “erë e re” në punën e ekipit, e cila do të mundësojë konkurrencë dhe ambicie edhe më të madhe në garat e Maqedonisë.”
“FFM mbetet plotësisht e përkushtuar për të krijuar kushtet më të mira të mundshme të punës, si dhe për të ofruar mbështetje maksimale për ekipin përfaqësues. Bashkëpunimi i deritanishëm me stafin e trajnerëve të udhëhequr nga Milevski ka qenë në një nivel shumë profesional dhe ne e vlerësojmë përkushtimin dhe qëndrimin e tyre ndaj ekipit përfaqësues. Mbetemi të gatshëm, me të njëjtin përkushtim, të mbështesim planet dhe sfidat e ardhshme të ekipit përfaqësues të Maqedonisë.” – thonë nga FFM.
Bordi Drejtues i FFM-së rreth seleksionuesit të ri të ekipit përfaqësues futbollistik do të vendos jo më vonë se 25 dhjetori i vitit 2025, ndërsa një ndër emrat vendor që mund të ulet në bankinën e ekipit A përfaqësues të Maqedonisë, është edhe ai i Goce Sedlloskit, trajnerit aktual të Vardarit.
