Ohrid L. demolon G.Konjarin, shumë pranë për ti marrë primatin e kampionit vjeshtorë Shkëndijës së Haraçinës

Ohrid Lihnidos gjatë ditës së sotme ka zhvilluar ndeshjen e mbetur të javës së 13-të në Ligën e Dytë kundër skuadrës së Golemo Konjari, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra nga qyteti i bukur i Ohrit si mysafire shënoi fitore 9:0, duke konfirmuar formën e mirë, në të cilën ndodhet kjo skuadër.

3 gola në këtë ndeshje për ekipin nga Ohri realizoi Ivan Gligorov, dy gola realizoi Antonio Kalanoski, ndërsa nga një gol tjetër shtuan edhe Bojan Zaturoski, Stojan Poposki, Eren Partalko dhe Dimitrij Dimitrievski.

Fitorja e sotme e Ohrid Lihnidos, ishte e 7-ta me rradhë, ndërsa vlen të theksohet se kjo skuadër ka një seri prej 12 ndeshjeve pa humbje.

Për herë të fundit, Ohrid Lihnidos ishte mposhtur nga Shkëndija e Haraçinës para më shumë se 3 muaj, me datë 30 gusht.

Njëherit, kjo është disfata e vetme e Ohrid Lihnidos gjatë këtij edicioni në Ligën e Dytë, aty ku numëron gjithashtu edhe 10 fitore dhe 3 barazime.

Me 33 pikë të tubuara, aktualisht Ohrid Lihnidos renditet në pozitën e dytë, me dy pikë më pak se Shkëndija e Haraçinës, mirëpo duke pasur parasysh se me datë 7 dhjetor do të zhvillojë edhe ndeshjen e mbetur të javës së 15-të, kundër skuadrës së parafundit në renditje, Slloga Vinica, Ohrid Lihnidos në fund mund të dalë edhe kampion vjeshtorë në Ligën e Dytë, duke i rrëmbyer pozitën e parë Shkëndijës së Haraçinës. (infOSport.mk)

Leave a Reply