KF Drenica gjatë ditës së sotme ka arritur në Antalya të Turqisë, aty ku edhe ka zhvilluar seancën e parë stërvitore. Bashkë me ekipin nga Drenica në stërvitje kanë dalë edhe dy lojtarët shkodran, Mehdi Çoba dhe Kristi Qarri, njofton “infOSport.mk”.
Që të dy te skuadra e Superligës së Kosovës kanë arritur me rekomandim të trajnerit Tomas Brdariç, i cili udhëheqjen e skuadrës “kuqezi” e morri që nga 9 dhjetori i vitit që lamë pas.
50-vjeçari para se të pranonte ofertën e drejtuesve të KF Drenicës, kishte udhëhequr Vllazninë e Shkodrës, ndaj dhe njeh mirë cilësitë e dyshes, Çoba-Qarri.
Mehdi Çoba, që luan si sulmues i krahut të majtë, 6 muajt e fundit ishte pjesë e SC Gjilanit, te e cila skuadër nuk është se e gjeti veten. Pikërisht kjo bëri që ai ti jap fund aventurës së tij te kjo skuadër, duke pranuar ofertën e Drenicës, aty ku do të bashkohet me ish shokun e tij te Vllaznia e Shkodrës, portierin Kristi Qarri.
Ky i fundit gjithë karrierën e tij e kishte ndërtuar pikërisht te skuadra shkodrane, aty ku edhe kishte kaluar të gjitha grupmoshat, deri në ekipin e parë.
Qarri këtë edicion në portën e Vllaznisë qëndroi vetëm në dy ndeshjet europiane ndaj BFC Daugavpils, duke mos marrë asnjë minutë të vetme në kampionatin shqiptarë, ndërsa kjo bëri që i njëjti tashmë të pranojë ofertën e KF Drenicës, duke luajtur kështu për herë të parë jashtë kufijve të Shqipërisë, apo edhe më mirë thënë, të Shkodrës. (infOSport.mk)
