Thiago Silva vazhdon kontratën me Çelzin:”Erdha për një vit, do i bëjë katër”!

Braziliani Thiago Silva ka nënshkruar një kontratë të re me Çelzin, pjesë e së cilës skuadër do të jetë deri në vitin 2024.

“Blutë” kanë konfirmuar se braziliani veteran ka zgjatur kontratën e tij aktuale dhe do të qëndrojë në “Stemford Brixh” deri në vitin 2024 edhe pse ai ka mbushur 38 vjet në shtator.

Edhe një vit tjetër në Londrën Perëndimore, do ta çojë Silvan në vitin e katërt me Çelzin, dhe deri në fund të edicionit 2023-2024, braziliani do të jetë afër ditëlindjes së tij të 40-të.

“Sinqerisht jam shumë i lumtur që do të vazhdoj karrierën time me Blutë. Kur firmosa kontratën time të parë këtu, ishte për të bërë vetëm një vit. Tani do të jenë katër! Nuk mund ta imagjinoja këtë, por në të vërtetë është një moment shumë i veçantë për mua që të nënshkruaj dhe të qëndroj në Çelzi”, ka thënë ai për faqen zyrtare të klubit.

Ai shihet edhe si mësues për dy lojtarët e rinj Benoit Badiashile dhe Trevoh Chalobah.

Mbrojtësi brazilian pritet të rikthehet në aksion sot përballë Uest Hamit, ndeshje kjo që starton në ora 13:30.

Leave a Reply