Ilievski: Starti i mirë i sezonit një stimul shtesë për ndeshjen ndaj Rabotniçkit  

Struga Trim Lum e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri në elitën e futbollit vendor, shkruan “infOSport.mk”. Dy ndeshje, dy fitore për ish kampionët e vendit, që ndeshjen e tyre të xhiros së tretë do ta zhvillojnë në shtëpi përballë Rabotniçkit.

Në prag të këtij takimi, nga tabori i struganëve ka folur mbrojtësi i krahut të djathtë, Bojan Ilievski, njëherit një nga futbollistët e vetëm nga kampionati vendor, që mbron ngjyrat e përfaqësueses futbollistike të vendit tonë.

Gjatë gjithë javës jemi përgatitur për këtë ndeshje. Kemi bërë analizë të kundërshtarit, e dimë se cilët janë anët e tyre më të mira,  por gjithashtu kemi bërë edhe një analizë të skuadrës tonë, se ku duhet të përmirësohemi edhe më shumë.” – thotë Bojan Ilievski, i cili po kalon sezonin e tij të dytë me fanellën e skuadrës strugane.

Ilievski foli edhe për startin e sezonit të ri, e që realisht është i kënaqshëm në aspekt të rezultateve. Sipas tij, skuadra me kalimin e kohës do të tregohet edhe më e fuqishme.

“Ende jemi në fazën e rikuperimit të skuadrës mund të them. Kemi shumë lojtarë të rinj në skuadër, pastaj edhe trajner të ri, mendoj se me kalimin e kohës do të jemi edhe më të mirë. Gjithsesi se jemi të kënaqur me startin e kampionatit, kemi dy fitore, ashtu që shpresoj ta vazhdojmë këtë seri” – shprehet Ilievski, që gjithashtu dëshiron njëkohësisht skuadra e tij të vazhdojë traditën e rezultateve pozitive ndaj kundërshtarit të nesërm, Rabotniçkit.

11 fitore, 5 barazime dhe vetëm 2 disfata është epilogu i takimeve të deritanishme në favor të Struga Trim Lum, që gjithashtu ndaj “romantikëve” kishte dalë edhe dy herë fituese në ndeshjet e Kupës. (infOSport.mk)

Leave a Reply