KF Shkëndija nga Tetova ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit vendor, duke u bërë klubi i parë që kalon fazën e grupeve në një kompeticion europian në nivel klubesh, siç është Liga e Konferencës.
Shkëndija pavarësisht disfatës minimale 1:0 ndaj AEK Larnaca në Qipro, siguroi kualifikimin në ndeshjet e “play-off” të fazës nokaut.
Ky sukses nuk është i rastësishëm, por fryt i punës së palodhshme të stafit të trajnerëve, investimeve të drejtuesve të klubit dhe përkushtimit e karakterit të treguar në fushë nga ana e futbollistëve “kuqezi”.
Ky sukses i Shkëndijës e rrit dukshëm prestigjin e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, dhe shërben si shembull dhe motivim për të gjitha klubet e tjera për të bërë atë që sonte e bëri skuadra e Jeton Beqirit.
Pas 6 ndeshjeve të zhvilluara me kundërshtarë të fuqishëm, Shkëndija grumbulloi 7 pikë, duke u renditur në pozitën e 22-të, e mjaftueshme për të shkruar historinë më të re në futbollin europian.
Një gjë të tillë, bëri edhe Drita e Gjilanit, që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani. Skuadra kosovare siguroi pozitën e 20-të me 8 pikë të grumbulluara, ndaj urime të përzemërta edhe për Dritën e Gjilanit nga ne si “infOSport.mk”, me shpresë se aventura europiane do të jetë e gjatë për të dyja skuadrat shqiptare. (infOSport.mk)
