Tifozët e Sivaspor e kishin surprizuar këndshëm sulmuesin e kombëtares shqiptare, Rej Manaj, i cili rikthehet te skuadra turke vetëm pas 6 muajve, pas aventurës që pati në Emiratet e Bashkuara me skuadrën e Sharjah FC, shkruan “infOSport.mk”.
Manaj u mirëprit nga qindra tifoz në aeroportin “Sivas Nuri Demirağ”, një moment ky i paharrueshëm për autorin e golit të fitores të Shqipërisë kundër Serbisë.
Me siguri, se pas atij momenti të paharruar, edhe ky i sotmi do të mbetet i tillë, pasi në këtë mënyrë priten vetëm lojtar të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në të kaluarën.
Manaj pa dyshim se kishte bërë një gjë të tillë me fanellën e Sivaspor, pjesë e së cilës skuadër ishte për gati dy vite të plota.
Sulmuesi “kuqezi” me fanellën e Sivaspor në 63 ndeshje kishte realizuar 34 gola, 4 prej të cilëve në ndeshjet e Kupës së Turqisë.
Megjithatë, për dallim nga dy vitet e fundit (2023-2025) kur me Sivaspor luante në Superligën e Turqisë, Manaj, tashmë me skuadrën e tij të re do të luaj në Ligën e Parë turke.
Sivaspor ndodhet shumë poshtë në renditje. Ata pas 22 xhirove kanë tubuar vetëm 29 pikë, duke u renditur në pozitën e 14-të. (infOSport.mk)
