Përfaqësuesja e Maqedonisë U21 hyn në një periudhë intensive, teksa brenda vetëm tetë ditësh do të luajnë tre ndeshje, një miqësore dhe dy në kuadër të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian.
Serinë e ndeshjeve të përzgjedhurit e trajnerit Aleksandar Tanevski e nisin më 28 shtator me ndeshjen miqësore kundër përfaqësueses së Rusisë U20, e cila do të zhvillohet në qendrën stërvitore „Petar Miloshevski“ në Shkup.
Me datë 1 tetor në Manastir pason ndeshja kualifikuese me Malin e Zi, ndërsa katër ditë më vonë Maqedonia do të jetë mysafire e Suedisë në Falkenberg.
“Na presin tre ndeshje dhe secila prej tyre do të jetë e rëndësishme në mënyrën e vet. Fillimisht është ndeshja me Rusinë, ku do t’u japim më shumë hapësirë futbollistëve më të rinj. Për ta, kjo është një mundësi e shkëlqyer për t’u treguar dhe për të dëshmuar veten si kandidatë potencialë për ciklin e ardhshëm. Më pas vjen Mali i Zi në Manastir, ku duam që me lojë të mirë të arrijmë një rezultat pozitiv. Në fund është Suedia, një kundërshtar serioz dhe një mundësi për të parë se si do të reagojmë në një nivel më të lartë.” – u shpreh trajneri Tanevski, që pas këtyre ndeshjeve pret që të ketë një fotografi më të qartë rreth futbollistëve, tek të cilët do të mund të mbështetet në të ardhmen.
“Pas këtij grumbullimi pres që të kem një pasqyrë më të mirë për futbollistët dhe për atë se tek cilët mund të konsiderojë më shumë në të ardhmen.” – deklaroi Tanevski, për të cilin do të jenë këto ndeshjet e para nën udhëheqjen e ekipit U21 të Maqedonisë.

