KF Shkëndija dhe Universiteti i Tetovës nënshkruan Memorandum bashkëpunimi

Universiteti i Tetovës dhe KF Shkëndija gjatë ditës së sotme në Tetovë nënshkruan Memorandum bashkëpunimi, duke vendosur bazat për një partneritet më të gjerë në fushën e arsimit, sportit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dhe drejtori ekzekutiv i KF Shkëndija, z. Valdrin Uka.

Ky bashkëpunim synon të ndërthurë potencialin akademik dhe shkencor të Universitetit me përvojën profesionale dhe sportive të KF Shkëndija duke krijuar mundësi konkrete për studentët, sportistët, stafin akademik dhe profesionistët e klubit. Në kuadër të partneritetit parashihen praktika profesionale për studentët e UT-së në strukturat e klubit, përfshirja e ekspertëve të KF Shkëndija në ligjërata, seminare dhe aktivitete akademike, si dhe realizimi i kërkimeve shkencore dhe testimeve sportive. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet monitorimit të performancës, përgatitjes fizike, ushqimit sportiv dhe rehabilitimit të sportistëve.

Një segment i rëndësishëm është edhe programi për karrierën e dyfishtë (Dual-Career), që synon të mbështesë futbollistët e rinj në zhvillimin paralel të karrierës sportive dhe arsimimit universitar.

Bashkëpunimi përfshin gjithashtu aplikimin në projekte vendore dhe ndërkombëtare, organizimin e konferencave, seminareve dhe aktiviteteve sportive, duke vënë dijen akademike dhe përvojën profesionale në funksion të zhvillimit të kuadrove të reja dhe avancimit të sportit.

Leave a Reply