Futsal Shkupi kthehet me fitore nga Tetova

Futsal Shkupi ka shënuar edhe fitoren e 8-të këtë edicion në elitën e futsalit vendor, duke vazhduar garën për titullin kampion me ekipin e Velesit, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Zoran Lekiq sonte në kuadër të javës së 12-të në Tetovë mundën ekipin e SEEU me rezultatin 4:7.

Ishte kjo një ndeshje mjaft interesante, në të cilën të dyja skuadrat treguan një lojë shumë cilësore, në veçanti gjatë pjesës së parë që u mbyll me barazimin 3:3. Figurë qendrore te skuadra vendase doli të jetë Isen Memeti, i cili shënoi 3 gola, dy prej të cilëve në pjesën e parë, ndërsa një gol tjetër për SEEU në këtë ndeshje realizoi edhe Venhar Useini.

Në anën tjetër te skuadra shkupjane shkëlqeu Bejtulla Jakupi që realizoi një “tripletë”, dy gola në këtë ndeshje realizoi lojtari i ri i talentuar Haris Fazlija, ndërkohë nga një gol shënuan Skender Kovaçi dhe kapiteni Orhan Ibishi.

Me këtë fitore Shkupi arrinë në kuotën e 24 pikëve, mirëpo edhe me një ndeshje më pak, pasi FFM ende nuk ka vendosur zyrtarisht për ndeshjen e ndërprerë të javës së kaluar ndaj Juventus Seravës, ku pritet që skuadrës nga Çairi ti takojë fitorja në tavolinë.

Leave a Reply